Sa i takon tubimit të sotëm, Ambasada Amerikane paralajmëron përshkallëzim të situatës. Ambasada kërkon nga ana e qytetarëve të kenë kujdes, dhe të shmangin rrugët rreth stadiumit “Air Albania”. Me anë të një deklaratë të shpërndarë për mediat dhe publikuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar qytetarët e saj që jetojnë në Shqipëri, të kenë kujdes dhe të shmangin rrugët rreth stadiumit “Air Albania”.
“E shtunë, 11 dhjetor 2021, ora 10:00. Event: Një tubim politik është njoftuar të mbahet në orën 10:00 më 11 dhjetor në Shqipëri në stadiumin “Air Albania”. Ky tubim mund të migrojë në vende të tjera në Tiranë. Kohëzgjatja e saktë e mbledhjes së pritshme nuk dihet.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike, mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit, dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Duket se amerikanët i ndruhen përshkallëzimit të situatës, kjo edhe për faktin se Kuvendin Kombëtarë të PD e cilësojnë tubim.
Kuvendi mbahet në 30-vjetorin e krijimit të PD-së, ndërsa Berisha e ka cilësuar këtë ditë si një moment për rithemelimin e kësaj partie. Në programin e këtij Kuvendi është parashikuar edhe shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha.