Nga Blake Hounshell, “Politico.eu”
Nuk ka bashkëpunim! Është ky interpretimi i qartë i gjetjeve të prokurorit special Robert Myler, të paktën siç u përcoll të dielën nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Uilliam Barr. Dhe është sigurisht varianti që po promovojnë me bujë mbrojtësit e presidentit Donald Trump.
Por, pa një qasje në raportin e plotë të Mylerit, ne s’mund ta dimë se sa i dëmshëm – apo jo – është ky hetim për Trumpin. Rregullat e Departamentit të Drejtësisë, përcaktojnë se një president në detyrë, nuk mund të akuzohet për ndonjë vepër penale, ndërsa ato thonë gjithashtu, se është e gabuar të lëshohen informacione fyese, për dikë që nuk akuzohet për një krim.
Pra, nëse Barr nuk vendos që presidenti është një rast i veçantë, ne s’mund ta mësojmë kurrë shkallën e plotë të veprimeve të Trump. Dhe ne s’do ta dimë asnjëherë, se sa pranë ka qenë ekipi i Mylerit ndaj akuzave për Donald Trump, Trump Xhunior dhe Xhared Kushner, dhe të tjerët e kapur në skandalin e bashkëpunimit okult me Rusinë.
Megjithatë, edhe nëse kryeprokurori Barr bën publike pjesën më të madhe të raportit, detyra ishte të ndiqte ndjekjet penale me një shans të arsyeshëm për sukses, dhe të mos jepte një gjykim moral mbi këtë presidencë. Përmbledhja e Barr e bën të qartë, se nuk kishte ndonjë konspiracion të koordinuar të nivelit të lartë, midis Rusisë dhe Trump, për të anuar zgjedhjet e vitit 2016 në favor të tij.
Dhe këtu duhet të lëmë më një anë, sjelljen e çuditshme të presidentit Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Dhe lidhjet e shumta midis ndihmësve të Trumpit dhe operatorëve rusë në vitin 2016, apo kontaktet absurde të nivelit të ulët. Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm mbi rreziqet e paragjykimeve: zakoni i keq, i interpretimit të provave, për t’iu përshtatur përfundimeve tona të para-gatuara.
Për shembull, ndoshta ish-kryetari i fushatës së Trump, Pol Manafort, thjesht po përpiqej t’i shlyente borxhin e tij shumëmilionësh oligarkut rus Oleg Deripaska, kur i kaloi të dhënat konfidenciale ish-partnerit të tij në biznes, Konstantin Kilimnik. Ndoshta Xhorxh Papadopulos, ishte vërtet i dehur kur i tregoi ambasadori Australian në OKB, se Rusia kishte e-mailet e vjedhura të Hilari Klintonit, një takim që thuhet se alarmoi zyrtarët e FBI-së, dhe nisi hetimin mbi “Russiagate”.
Kanë ndodhur shumë gjëra të tjera të pazakonta, nga takimi famëkeq i qershorit të vitit 2016 në Trump Tower me rusët, që ofronin materialet kompromentuese mbi Klintonin, deri tek skema e supozuar dhe e sinqertë e Majkëll Flin dhe Xhared Kushner, për të krijuar një kanal të fshehtë komunikimit me Moskën, nëpërmjet ambasadës ruse në Uashington.
Por ka shpjegime të mundshme për të gjitha këto çudira, që nuk përbëjnë një komplot të madh për të vjedhur një palë zgjedhje, në shkëmbim të sanksioneve ose lehtësimit të njohjes së aneksimit të Krimesë nga Putini. Ndoshta rusët i forcuan lidhjet me ekipin e Trumpit, bazuar në shanset e paparashikuara, që ai kishte për të qenë nesër partner me të cilin mund të punohej. Ndoshta takimet vetë ishin një formë “kompromati” – sepse Moska e dinte se zbulimi i tyre do të ishte i turpshëm. Ndoshta grupe të ndryshme rusësh, thjeshtë panë të njëjtën mundësi tek Rusofilia e Trumpit, dhe vepruan me kokën e tyre, pa dijeninë e Kremlinit.
Por shumë aspekte të sjelljes së Trumpit ndaj Rusisë, si kandidat dje dhe si president sot, mbeten të habitshme. Fiksimi i tij pas ”gogolit” që i druhet Kremlini, NATO, apo dështimi i tij për të bërë transparencë mbi projektin e një hoteli të ri në Moskë, ndërsa garonte për në Shtëpinë e Bardhë.
Biznesi i tij i pasurive të patundshme, është mbështetur për shumë vite tek paratë ruse. Më e çuditshme është lidhja personale e Trumpit me Vladimir Putinin, të cilin nuk e kritikon kurrë drejtpërsëdrejti. Është e famshme deklarata e tij në korrikun e vitit 2018 në Helsinki të Finlandës, kur Trump qëndroi pranë homologut të tij rus dhe tha: ”Kam besim të madh tek njerëzit e mi të inteligjencës, por unë do t’ju them se presidenti Putin ishte jashtëzakonisht bindës, në mohimin që u bëri akuzave për ndërhyrje në zgjedhje”.
Ajo mbetet ende sot, një nga sjelljet më poshtëruese të një presidenti amerikan, jashtë vendit.
Megjithatë kohët e fundit, kemi marrë disa të dhënat që mund të na ndihmojë të kuptojmë se nga vjen Trump. Shihni marrëdhënien e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, regjimi i të cilit është edhe më i urryer se sa ai i Putinit.
Trump e mbuloi Kimin me lavdërime të pamatura, duke i lënë mënjanë vërejtjet e këshilltarëve të tij. Këtë javë, Trump njoftoi refuzimin e tij për një raund të ri sanksionesh, në shkallë të gjerë ndaj Phenianit. Shtëpia e Bardhë shpjegoi se Trump “e pëlqen Kim” – një njeri që dikur vrau gjysmën e vëllait të tij, dhe ekzekutoi me mitraloz armiqtë e tij të brendshëm.
Këtu janë dy temat e zakonshme. Njëra është, se Trump e dëshiron fuqinë që ushtrojnë këta udhëheqës autoritarë, mbi shoqëritë e tyre. E dyta është, se ai është i dëshpëruar për një fitore të madhe diplomatike, qoftë kjo një lloj pakti me Rusinë, fundi i programit bërthamor të Koresë së Veriut, apo një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve.
Çfarë mund të thuhet mbi sulmet e vazhdueshme të Trump ndaj hetimit mbi ndërhyrjen ruse, shkarkimin e shefit të FBI-së Xhejms Komej, ankesat e pafundme për “gjuetinë e shtrigave” e kështu me radhë? A nuk është kjo e dyshimtë? Ndërsa lexoni komentin vetëm 4 faqesh të Barr, mund të merrni parasysh mundësinë që e gjithë kjo gjë, të ketë qenë një keqkuptim i madh.
Por asnjë përfundim, nuk e liron Trumpin tërësisht nga përgjegjësi. Dhe nuk e vë në dyshim faktin, që drejtuesi i tij i fushatës, zëvendësi, dhe këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, janë dënuar të gjithë për krime të ndryshme. Nëse ky interpretim bamirës, i lidhjeve të tij me Moskën, e përjashton Trumpin, kjo i takon Kongresit – dhe përfundimisht votuesit – që ta gjykojnë.
Por ne mund të jemi të sigurt për një gjë: nëse Trump do të kishte bashkëpunuar me Rusinë, Robert Myler ndoshta do ta kishte zbuluar, por duket se ai dëshiron të bashkëveprojë me Putin, ndoshta për të riformësuar politikën e jashtme të SHBA-ve, gjithsesi kjo mbetet ende një mister./Përktheu për Tirana Today, Alket Goce