Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë seancës plenare tha në shenjë këmbane alarmi se nëse sjellja e njerëzve nuk ndryshon, asnjë masë e marrë nuk do të ketë vlerë. Edhe një herë tjetër, ajo u kërkoi qytetarëve që të bëhen të përgjegjshëm dhe ta marrin seriozisht koronavirusin vdekjeprurës, pasi situata po rëndohet me hapa të shpejtë.
Po kështu ministrja duke parë situatën, tha se janë marrë masat për spitalet. Manastirliu, duke bërë një pasqyrë të situatës u shpreh se në Spitalin Infektiv janë 6 të intubuar dhe nga këta, 3 janë në moshë të re.
“Kushdo që e konsideron lojë virusin, po na rrezikon jetën të gjithëve. Nëse sjellja e qytetarëve nuk ndryshon, masat nuk do jenë të vlefshme. S’mund të realizojmë që pas çdo qytetari të vendosim një polic që ta kontrollojë.
Çdo person që ka Covid, duhet të rrijë në shtëpi, jo të dërgojmë për çdo njeri një polic që t’i kërkojë hesap. S’e kemi këtë luks. Kjo duhet të jetë përpjekje e përbashkët, e të jetuarit në një realitet të ri.
Ne po përgatisim spitalet, përshtatëm spitalin karantinë dhe i shtuam 100 shtretër për Covid-19. Disa thonin e vazhdojnë të thonë se virusi nuk ekziston.
Në Spitalin Infektiv kemi 6 të intubuar. 3 janë të moshave të reja. Kush e konsideron lojë virusin, na rrezikon të gjithëve. Duhet marrë me seriozitet.
Po u kujdesëm për shëndetin, kujdesemi dhe për ekonominë e për gjithë të tjerat me radhë. Mos e vendosim në një stres të pamerituar sistemin tonë shëndetësor. Kemi vetë 7 vite e pak që është investuar në shëndetësi e është akoma shumë punë për t’u bërë”, u shpreh ajo.