“71 të vdekur dhe shumë të plagosur”, ky është bilanci tragjik pas rënies së disa ortekëve në Pakistan, në luginën Neelum, në afërsi të Kashmirit, ditën e djeshme.
Sipas autoriteteve vendase lugina në fillim është përfshirë nga reshjet intensive të dëborës dhe më pas nga ortekë bore, të cilat kanë varrosur shumë shtëpi.
Shumica e viktimave kanë qenë nëpër shtëpitë e tyre. Bora intensive i ka gjetur të papërgatitur për goditjen fatale, ortekët. Ata e kanë pasur të pamundur të largohen nga banesat, shkruan Cnn, përcjell Tirana Today.
Autoritetet vendase janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur që të transportojnë një pjesë të të plagosurve me helikopter në spitalin më të afërt në Muzaffarabad.
Sipas CNN deri tani janë të paktën 71 të vdekur dhe 53 të plagosur. Pritet që në ditët në vijim të rritet numra i viktimave, pasi ende shumë banorë janë nën dëborë.
Kryeministri Pakistanez Imran Khan tha se ka vënë në lëvizje ushtrinë dhe forcat e kërkim-shpëtimit dhe çdo agjenci tjetër në dispozicion për të shpëtuar banorët.