Përfaqësuesi i PS në komisionin për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, e ka konsideruar një ‘tërmet’ politik ndryshimet për formulën e koalicioneve në Kodin Zgjedhor. Ky cilësim i Gjiknurit ka nxitur reagimet në sallën e Kuvendit, dhe u shoqërua me batuta nga të pranishmit. Më pas Gjiknuri ka korrigjuar veten, duke e quajtur atë ‘lëvizje tektonike politike’.
“Ndodhi një tërmet i madh politik, ndryshoi Kushtetuta. Kështu që jemi të detyruar të ndryshojmë Kodin. Ndodhi një tërmet politik që prishi një traditë, se kanë qejf fjalën tërmet prandaj e them unë. Unë e thashë për provokim. Fjala tërmet ka dimensione të shumta. Ndodhi një lëvizje tektonike politike”, tha ai.
Termi ‘tërmet’ përmendur nga Gjiknuri, shkaktoi të qeshura e reagime në sallën e parlamentit. Kjo, pasi në përgjimet e BILD, ku flitej për zgjedhjet në Dibër, ishte kjo fjalë që dëgjohej të thuhej nga ana e Damian Gjiknurit.
Në audio-përgjimin numër 4 të publikuar nga gazeta BILD, dëgjohet Gjiknuri duke folur me Ymer Lalën, babai i deputetes Reme Lala.
Përgjimi:
Ymer Lala: Hë mor zotëri.
Damian Gjiknuri: Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën.
Ymer Lala: Çfarë kemi bërë ne të dy.
Damian Gjiknuri: Tërmet!
Ymer Lala: Po më shkruante ai robi. I thashë a po fle gjumë. Tha jam habit me Selishtën dhe Luzninë (dy fshatra në Dibër). I thashë se paske njohur Damian Gjiknurin dhe mua nga afër.
Damian Gjiknuri: hahahha tërmet, tërmet!
Ymer Lala: Hajde, se mbaroi.
Damian Gjiknuri: I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus.
Ymer Lala: Me gjithë mend nuk më paske njohur nga afër.
Damian Gjiknuri: Edhe ti mua, edhe unë ty.