Haxhi Kabili është një nga të mbijetuarit e tërmetit që tronditi vendin, e solli shumë të vdekur. Bashkëshortja e tij është në gjendje të rëndë në spital, e ndërsa vajza e tij 21-vjeçare, Aderina, ndodhet nën rrënoja. Ai ka treguar se sapo kanë ndjerë tërmetin, kanë kërkuar që të dilnim, por nuk kanë mundur dot.
Familja e tij banon në katin e katërt, duke e bërë edhe më të vështirë daljen jashtë banesës. Haxhi Kabili ka thënë se gruan e ka gjetur në fund të pallatit, e ndërsa ende janë në kërkime për gjetjen e vajzës.
“Sapo ndjemë tërmetin, kërkuam që të dilnim, po nuk mundëm. Banonim në katin e katërt, vajzën e kam nën rrënoja. Kam pastruar vetë tullat dhe kam dalë, kam gjetën vrimën dhe kam dalë.
Gruan e kam gjetur në fund të pallatit. Vajzën nuk kam mundur që ta gjej. Gruaja ka dëmtime më të rënda në pjesën e legenit, ndodhet te Trauma në Tiranë.
Është diçka më mirë, vajza është nën rrënoja. Vazhdojnë kërkimet. Të Zotit jemi, shpresojmë që të jetë gjallë, të jetë mirë. Në momentin që ka rënë një tërmet të parafundit, unë jam ngritur dhe kam qenë në divan. Gruaja dhe vajza kanë qenë në dhoma të ndryshme.
Telefoni më ngeli në dorë, nuk më humbi. Kam marrë në telefon disa njerëz të mi, por gjithsesi dola vetë nga rrënojat. Vajza është 21 vjeç, punonte te këpucët. Zoti është i madh. Kam dhe dy fëmijë të tjerë, kanë ardhur nga jashtë”, u shpreh Kabili.