Nga Luan Rama:
Përse nuk u përkujtua 75-vjetori i krijimit të Brigadës së 18-të partizane?!
Sllova është një krahinë dhe një histori krenarie jo vetëm për Dibrën. Në historinë e atdhedashurisë shqiptare, ajo ka qenë e mbetet një monument sakrificash dhe lavdie. Ndaj kjo e bën udhëtimin për në krahinën e Sllovës e të nëntë fshatrat e saj; Sllovë, Shumbat, Trojak, Sllatinë, Vleshtë, Dypjak, Venisht, Kallm dhe Zall-Kalis, si nëpër të gjithë katundet rrethepërqark malit të Korabit, një udhëtim mes legjendash e në majat e historisë.
Bukuritë natyrore krejt unike e magjepsëse, kanë imponur e jetësuar të njejtën cilësi fisnikërie e krenarie edhe ndër banorët e atyre anëve, mirësia e të cilëve jo rastësisht ka për referencë vetë lartësitë e malit, në prehër të të cilit jetojnë brez pas brezi e shekull pas shekulli, prej mijëra vitesh.
Ndaj, ata jo thjeshtë ndjehen, por realisht janë si Korabi.
Kësisoj, sado shpesh të kesh shkuar ndër ato vise, prapëseprapë do të magjepsesh me gjithë çfarë gjen e mëson atje, mes atyre njerëzve që lidhjen me historinë e kanë jetë dhe krenari. Sepse e kanë lidhje gjaku. E kanë heroizëm e atdhedashuri. E kanë sakrificë dhe ekzistencë.
Me këtë ndjesi nderimi e mirënjohjeje u nisa më 18 gusht për në Sllatinë të Sllovës, atje ku në të njejtën datë, 75 vjet më parë, më 18 gusht 1944, u krijua Brigada e 18-të Sulmuese partizane e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me vetëdije po udhëtoja drejt historisë i bindur e me emocion se po shkoja drejt një vendi ku nderimi për gjakun është i shenjtë dhe ku mirënjohja për çfarë ata kanë bërë për atdhe e flamur është detyrim.
Sllova ka bërë histori dhe ua ka mësuar edhe të tjerëve se si bëhet historia kur trojet e gjakut e të tamblit janë atdhe e fe përmbi fe. Natyrshëm besoja se do të përkujtohej e nderohej me krenarinë e ligjshme në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, edhe 75-vjetori i krijimit të kësaj brigade partizane e pagëzuar si Brigada e Dibrës, historia luftarake e së cilës është nga më të lavdishmet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe që zanafillën e vet e ka në Sllovë.
Mirëpo, në vend të përkujtimit e nderimit, gjeta harrimin, heshtjen, fyerjen për luftën e lavdishme dhe Sllovën që iu dha asaj e gjitha e pa asnjë rezervë! Monumenti i ngritur në nderim të kësaj ngjarjeje, që për nderin e Dibrës e të të gjithë Shqipërisë është në Sllatinë të Sllovës, është aty, në bash të vendit, krenar e madhështor, edhe pse jashtë vëmendjes e përkujdesjes së autoriteteve vendore.
I vetëm, por sfidues, ai monument, është shenja e luftës dhe e fitores partizane, është gjurma e ndezur e heroizmit, është dëshmia e madhe e gjakut që nuk falet e që për malet e Dibrës është e do të jetë i shenjtë sa të ketë dibranë në ato male. Haxhi Lleshi e Dali Ndreu e si ata edhe shumë burra dibre, ishin ndër të parët që zgjodhën anën e duhur të historisë, ndaj edhe Dibra ishte nga të parat ku u ndez lufta partizane për çlirim.
Pa Dibrën e Sllovën në ballë të saj, pa Martaneshin, Çermenikën dhe Gollobordën, pa Grykën e Madhe, Katër Grykët, Grykën e Vogël e gjithë popullin e atyre krahinave që antifashizmin e bënë luftë për çlirimin e atdheut, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot, me krenarinë e të qenit pjestare e koalicionit antifashist botëror. 75-vjetori i çlirimit të atdheut prej pushtuesve nazifashistë e kuislingëve që bashkëpunuan me ta, nuk është një ngjarje e rradhës. Është një ngajrje e madhe e historisë tonë e duhej që shteti e qeveria ta vlerësonin e trajtonin si të tillë.
Mirëpo, për marre e faqe të zezë, siç thonë në Dibër, qeveria nuk e ka as ngjarje, as festë e asgjë 75-vjetorin e çlirimit. Prandaj nuk u përkujtua e as u nderua edhe 75-vjetori i krijimit të Brigadës së 18-të partizane në Sllovë të Dibrës. Qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Peshkopisë nuk e bënë, sepse ata nuk e duan luftën partizane, ata nuk i duan partizanët e lirisë dhe për ta ka më shumë vlerë memoriali i paguar i turpit për ca të vrarë në urat e Stambollit që bashkia e Tiranës ka ngritur në kodrat e liqenit, se sa ata që flijuan jetën e tyre e dhanë gjakun në themelet Shqipërisë antifashiste.
Sllova, krahina medalje krenarie për Dibrën, që 75 vjet më parë u bë vendi i pagëzimit të Brigadës së 18-të partizane, është krenare për gjestin e vet bujar e historik. Duke pritur partizanët e lirisë e duke u dhënë bekimin e bukës dhe të besës së vet, Sllova bëri në fakt atë që kishte bërë përgjatë gjithë historisë së saj, ku jeta e lufta për liri kanë qenë gjithmonë bashkë.
Pa shkuar shumë pas në histori, mjafton të kujtojmë se gjatë Shekullit të 19-të, në mënyrë të veçantë gjatë viteve 1835 – 1876, Sllova u bë epiqendra e rezistencës kundër perandorisë osmane, me kryeluftëtarin e asaj epoke Mahmut Daci, një emër monumental në luftën për liri, i vetmi ndër prijësat popullorë, që njësoj si Ali Pashë Tepelena prehet në dy varre, pasi kokën ia çuan si dëshmi e trofe sulltanit të Stambollit.
E më pas, në fillim të Shekullit të 20-të, sidomos gjatë periudhës 1912-1921, Sllova përsëri është në krye të vendit në luftën kundër pushtuesve serbë, austro-hungarezë dhe bullgarë, e udhëhequr nga një tjetër burrë i madh i asaj krahine, por me emër në të gjitha trojet shqiptare, Elez Isufi.
Ndaj për traditë e për histori, për gjak e zakon, edhe në epopenë më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Sllova nuk mund të mos ishte atje ku ia donte nderi, në krye te vendit.
E, jo ratësisht edhe Brigada e 18-të partizane u krijua në Sllovë, me komandant Esat Ndreun e fisit të përmendur të Sllovës, nga ku ishte edhe Gjeneral Dali Ndreu. Të dy ata e i gjithë fisi Ndreu e fise të tjerë të lidhur me të, u dënuan e u persekutuar më pas nga rregjimi komunist, por Sllova mbeti po ajo, kështjellë nderi e krenarie.
Partizanët e Brigadës së 18-të Sulmuese, nuk ishin të gjithë nga Dibra. Ata ishin nga vise të ndryshme të Shqipërisë, por Dibra i bëri bashkë në luftën për çlirim, ndaj ata të gjithë janë edhe bij e bija të Dibrës.
Në 75-vjetorin e krijimit të brigadēs partizane të Dibrës, meqë shteti e institucionet e tij nuk dënjuan të thonë një fjalë nderimi e të vendosin një lule kujtimi pranë memorialit në Sllatinë të Sllovës, e ndjej për detyrim të shpreh mirënjohje e respekt për komandantin e parë të brigadës Esat Ndreu, vëllai i patriotit Isuf Elez Ndreu, për komisarin e parë Miço Kallamata dhe për të gjithë ata që luftuan në rradhët e saj si partizanë të thjeshtë apo si drejtues: Petrit Dume, Zoi Themeli, Sotir Vullkani, Hilmi Causholli, Xhevdet Petrela, Teme Sejko, Milo Qirko, Gafur Korça, Qazim Peshku, Ajet Rusi, Gafur Mehmeti, Prokop Murra, Rexhep Doda, Beshir Laçi, Emin Agolli, Adli Dibra, Ismete Baholli, Veli Zogu, Montaz Kodra, Ramiz Agolli, Mehmet Hajrullaj, Pal Cavapuli, Sali Hoxha, Sefer Musa, Qatip Cala, Miftar Koltraka, Maliq Noka, Sami Spahiu, Xheladin Krifsa, Shuaip Baruti, Demir Leka, Kalosh Daci, Ferit Muha, Mojsi Kukeli, Ajet Simitxhiu, Hajri Hoxha, Uke Cami, motër e vëlla Hibe dhe Eshref Palikuqi, Ferit Muha, Abaz Vargu, Ismet Sula, Hysni Deda, Selim Pira, Asllan Keta, Beqir Brata, Isuf Sula, Hasan Laçi, Destan Meta, Ferit Alimani, Man Jella, Nexhmedin Shehu, Shemsi Hoxha, Adil Shehu, Tahir Haxhiymeri, Sinan Osmani, Ahmet Kullaverja, Faik Ashiku, Destan Laçi, Ahmet Shehu, Ahmet Stojku, Hilmi Kuska, Sami Shehu, Nexhmi Melani, Skënder Shehu, Hysen Mata, Izet Vraniçi, Myslym Vraniçi e shumë e shumë të tjerë.
Në pamundësi që ti rendis të gjithë emrat e partizanëve të brigadës, duke përmendur disa prej shokëve të tyre, nderimi dhe homazhi është për të gjithë pa asnjë përjashtim, pavarësisht se ç’fat rezervoi paslufta për shumë prej tyre.
Por është edhe për të gjithë familjet e partizanëve e pasardhësit e tyre, të cilët kanë se përse të jenë krenarë, është për mbarë popullin e Sllovës e të Dibrës, që pavarësisht ligësisë së harresës së pushtetit, nderimin për gjakun e derdhur për liri, e ka të shenjtë, të pacënueshëm, të paprekshëm si vetë lirinë.