Nga: Alfred Peza
Ka një përkim shumë interesant në kohë, mes qasjes së kreut të mazhorancës dhe asaj të lidershipit të opozitës së rrugës, në lidhje me fokusin e sfidave që e presin vendin në të ardhmen.
Prej disa javësh, qeveria është përfshirë në aksionin frontal kundër informalitetit, në çdo fushë e në çdo sektor të jetës së vendit. Kjo luftë është pjesë e strategjisë së shtetformimit modern shqiptar, e programit elektoral të PS dhe tashmë pjese e programit qeveritar të miratuar në Parlament. Ajo shihet si detyrë e të gjitha strukturave të shtetit, qeverisjes qëndrore e asaj lokale, por edhe si një sfidë e çdo qytetari dhe e gjithë shoqërisë shqiptare në tërësi.
E ndërkohë që mazhoranca duket se e ka të qartë tashmë, sfidën e saj edhe nga shtatori e tutje, opozita e rrugës vijon rrugëtimin e pandalshëm drejt informalitetit të plotë politik. Kurrë më parë as historia e demokracisë sonë të re, e as sjo e botës së qytetëruar, nuk kanë parë një model të dytë që të ngjajë sadopak me atë të “Opozitës së Bashkuar” në Shqipëri.
Modelin e një grupi politik që sa më shumë i largohet rragullave të lojës pluraliste, duket qëndruar jshtë sistemit parlamentar, jashtë sistemit politik, jashtë sistemit demokratik, jashtë institucioneve, jashtë pushtetit qëndror e atij lokal, aq më shumë flet për ligj, rend e Kushtetutë. Sa më shumë punon kundër reformës në drejtësi, aq më shumë flet për shtet ligjor. Sa më shumë kritikon vettingun ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, aq më shumë përbetohet për vettingun ndaj politikanëve.
E ndërkohë që lidershipi i opozitës së rrugës vazhdon me predikimin sipas parimit të priftit të fshatit “bëni se themi ne, por mos veproni siç veprojmë ne” mazhoranca duket se nuk ka më kohë për të humbur. Ndaj e ka startuar fuqishëm luftën kundër informalitetit gjatë këtyre javëve, duke shpallur si objektiv primar, garantimin nga shteti të barazisë së të gjithëve përpara ligjit dhe pritet që në shtator, të vijojë udhëtimin e pandalshëm për instalimin e sistemit të rregullave të qarta e të barabarta të lojës, për të gjithë.
Kjo luftë filloi me kuponin tatimor, me zaptimin e hapësirave publike në plazhe, me subjektet që meren me tregëtinë e karburantit dhe mallrave të tjera të akcizës. E do të vijojë me të gjitha rastet e informalitetit në punë kur pronarët paguajnë në të zezë, apo nuk paguajnë sigurimet për shëndetin dhe pensionin e punonjësve. E deri tek vendosja e të gjitha subjekteve të biznesit privat në treg, në kushte konkurence të barabartë, për ti dhënë fund konkurencës së pandershme dhe abuzimit të inspektorëve të korruptuar apo të papërgjegjshëm të shtetit.
Në ndihmë të kësaj lufte, ka ardhur edhe lançimi i aplikacionit të ri: Stop Informalitetit, si një mundësi e re për çdo biznes të rregullt që të informojë në rrugë konfidenciale drejtuesit e strukturave shtetërore për rastet e informalitetit dhe abuzimit të punonjësve të shtetit me detyrën, në kurriz të tyre dhe të legjitimitetit, formalitetit e konkurencës së ndershme.
Në këtë mënyrë, Shqipëria e pas 30 Qershorit, po krijon një tablo qartazi të ndarë në pamje të kundërta me njëra tjetrën. Nga njëra anë mazhoranca që i ka shpallur një luftë frontale me kthim informalitetit, si armiku kryesor i përpjekjeve për një shtet ligjor sipas standardeve perendimore dhe me një ekonomi tregu të lirë e me rregulla të qarta e të barabarta loje. E nga ana tjetër, opozita e rrugës e cila vijon rrugëtimin e saj pa kthim, drejt informalitetit politik që nuk bën gjë tjetër, veçse ndihmon në realizimin e profecisë së saj për të shkuar drejt shkrirjes.