Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Presidencë me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shpreh falenderimet e tij për ndihmat që shteti italian ka ofruar për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas tij, partneriteti strategjik mes dy vendeve dhe marrëdhëniet mes dy popujve, meritojnë të forcohen edhe më tej.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takoja sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Sh.T.Z. Luigi Di Maio.
Shpreha falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë. Asistenca italiane për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura është e mirëpritur!
Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera e tradicionale mes dy popujve tanë, meritojnë të forcohen më tej, për një ardhme më të ndritur!