Editorial - Opinione

Siria mund të jetë “Vietnami” i Turqisë


               Publikuar në : 14:55 - 10/10/19 S.N

Nga Michael Rubin “National Interest”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi të mërkurën nisjen e operacioneve në Sirinë verilindore, duke dërguar shumë trupa në zonën e qeverisur nga kurdët. Dhe këtë herë e ka seriozisht. Ekonomia turke ka ngecur, vetë presidenti pësoi një goditje në prestigjin e vet, kur partia opozitare fitoi 2 herë Stambollin. Ndaj Erdogan ka dëshpërimisht nevojë, ta shpërqendrojë vëmendjen e publikut nga këto çështje.

Erdogan flet për një kërcënim të terrorizimit, që buron nga Siria  e Veriut. Por ai duhet ende të dëshmojë se ekziston një i tillë. Faktet flasin për të kundërtën:Kurdët e Sirisë, kanë qenë jo vetëm forca luftarake vendase më efektive kundër Shtetit Islamik.

Por ekzistojnë shumë prova se Turqia bashkëpunoi dhe përfitoi nga operacionet e saj me bashkëpunëtorët e Al Kaedës dhe Shteti Islamik në Siri. Rajonet e administruara nga kurdët në Siri, janë më të sigurtat dhe më tolerantet brenda vendit.

Dëshira e Erdoganit për t’i pushtuar ato, ka shumë më pak lidhje me terrorizmin, dhe më shumë të bëjë me një dëshirë për të zgjeruar kufijtë e Turqisë, zhdukur precedentin e çdo vetëqeverisjeje kurde jo të varur nga diktati turk, dhe vënien nën kontroll të puseve lokale të naftës.

Turqia pushtoi mbi një të tretën e Qipros më shumë se 45 vjet më parë, dhe tani synon të plaçkitë burimet e saj natyrore. Ajo e ka spastruar etnikisht rajonin sirian të Afrinit, dhe ka hapur zyrat postare civile turke në Jarabulus, teksa i trajton gjithnjë e më shumë si të vetat territoret e pushtuara.

Në Bashiqa dhe gjetkë, Turqia ka pushtuar edhe pika kyçe në Irak, nga të cilat refuzon të largohet. Erdogan ka folur për rikthimin e disa territoreve nga Greqia dhe Bullgaria. Ndërsa hartat turke, përfshijnë gjithnjë e më tepër hapësira të mëdha territoriale, që u përkasin fqinjëve të Turqisë.

Erdogan beson se pushtimi i Sirisë Verilindore do të jetë i lehtë. Donald Trump ka pak dëshirë të zhvillojë një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Ashtu si Obama para tij, ai priret t’i besojë  garancive që i jep Erdogani, përkundër dëshmive kundërthënëse, dhe këshillave të ndihmësve të tij.

Zyrtarë të lartë të administratës Trump, thonë privatisht se logjika me të cilën vepron i dërguari special Jim Jeffrey, është se me tërheqjen e pashmangshme, çdo premtim që ai mund të marrë nga Ankaraja, është fitimi i diçkaje me kosto zero. Por nëse Jeffrey nuk i jep Turqisë një lloj mbulesë diplomatike, ai është i saktë kur thotë se forcat amerikane mund të shpërbëhen përballë një sulmi turk.

Erdogan mund të jetë plot vetëbesim, por mund të bjerë në një kurth. Dronët ushtarakë  mund t’i japin Turqisë një avantazh ushtarak cilësor në zonat malore dhe ato rurale. Por mund të jenë më pak të dobishme në qytetet veriore të Sirisë, nëse ka shqetësime mbi kufizimin e dëmeve anësore.

Nga ana tjetër, kurdët kanë përvojë të madhe me luftën në terren. Ndërkohë, spastrimet e fundit politike nga radhët e ushtrisë turke, e bëjnë atë një hije të vetvetes së saj të dikurshme. Dikur kryengritësit kurdë shkuan vullnetarisht në Siri me kërkesën e Turqisë, si pjesë e marrëveshjes së mëparshme të paqes. Sot ata nuk kanë ku të shkojnë.

Një shekull më parë, forcat turke masakruan armenët, duke i detyruar të marshojnë nëpër shkretëtirë, deri në vdekjen e tyre. Kurdët e refuzojnë atë lloj fati. Edhe nëse ushtria turke do të triumfojë në fillim, gabimi më i madh i Erdoganit, mund të jetë besimi i tij se një luftë midis Turqisë dhe kurdëve sirianë do të mbetet e kufizuar vetëm në atë zonë.

Turqia është aktualisht e angazhuar në një luftë me prokurë në Rripin e Gazës, Libi dhe në një luftë politike kundër Arabisë Saudite. Erdogan mund të mbrojë formalisht lirinë e shtypit në një shkrim të tijin në “The Washington Post”. Por në fakt, ai është kundërshtari i saj më i madh. Ndërsa vrasja nga Arabia Saudite e gazetarit Jamal Khashoggi është e tmerrshme, interesi i vetëm i Erdoganit ka qenë përdorimi i asaj ngjarje, si një mjet për të denigruar Arabinë Saudite, në përpjekjen e tij të vazhdueshme për të marrë një rol kryesor udhëheqës në botën islamike.

Në vizitën time të fundit në Sirinë Verilindore, unë u befasova nga prania e zyrtarëve sauditë të mbrojtjes dhe inteligjencës. Ndërsa lufta përmes mbështetjes së palëve të treta po përhapet në mbarë rajonin, është e arsyeshme të supozohet se autoritetet saudite mund të sigurojnë armë dhe informacione inteligjente, që kurdët sirianë të përgjakin Turqinë, në mos ta destabilizojnë atë.

Ndërsa Erdogan dhe kompania private SADAT, bashkëpunëtore e inteligjencës turke, kanë mbështetur Hamasin, autoritetet izraelite, mund të besojnë se kanë një interes të mbështesin ushtarakisht kurdët e Turqisë. Po ashtu, Greqia dhe regjimi i Asadit në Siri, ndihmuan dikur për të njëjtat arsye gjeopolitike liderin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Abdullah Oçalan.

Kurdët sirianë, kanë vuajtur nga Asadi dhe të Turqia. Por nëse detyrohen të zgjedhin mes të dyve, atëherë ata do të zgjidhnin Asadin. Forcat turke mund të marshojnë në Siri me arrogancën që Ushtria e Kuqe pushtoi Afganistanin, ose Shtetet e Bashkuara Vietnamin.

Por siç e mësuan si Moska ashtu edhe Uashingtoni, hyrja në ato luftëra ishte shumë më e lehtë sesa dalja. Erdogan mund të besojë se sulmi ndaj kurdëve dhe konfiskimi i naftës së tyre, do të jetë një fitore për Turqinë. Por ai e ka gabim. Ai thjesht po i hap derën një luftë, të cilën Turqia nuk mund ta përballojë, dhe që në fund mund ta humbasë./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT