Nga Boris Egorov “Rusia Beyond”
“Aleatja jonë më besnike dhe e besueshme” e cilësonte diplomati sovjetik Dimitri Çuvakin, që shërbeu si ambasador në Shqipëri gjatë viteve 1945-1952. Në ato kohë, ishte e pamundur që të vendosje qoftë dhe një letër cigaresh, midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë.
Është interesant fakti se nuk ishte Ushtria e Kuqe, ajo që e çliroi këtë vend të vogël ballkanik në Luftën e Dytë Botërore, por një njësi e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë. Por ishin sovjetikët, ata që shqiptarët i panë si çlirimtarët e tyre të vërtetë, pasi sipas udhëheqësit të tyre Enver Hoxha “fitorja sovjetike në Luftën e Madhe Patriotike, dhe ndihma pas luftës ndaj Shqipërisë, ishin faktorët vendimtarë në triumfin tonë”.
Ai program ndihmash për Shqipërinë e vogël, ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Drithë, pajisje bujqësore, armë dhe specialistë u dërguan në Shqipëri nga Bashkimi Sovjetik. U ndërtuan fabrika dhe u dhanë hua me kushte shumë të favorshme. Si rezultat i tyre, Moska fitoi një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë politikën e brendshme dhe të jashtme të Tiranës.
Aq sa aq sa kur Stalini nisi të përplasje të ashpër me liderin jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1948, Hoxha u pozicionua menjëherë me Moskën, duke prishur marrëdhëniet e vendit të tij me fqinjin dikur shumë më të afërt. Kremlini nuk po derdhte nga dashuria paratë e veta në Shqipërinë e largët.
Meqë marrëdhëniet me Beogradin ishin të trazuara, vetëm Tirana mund t’i garatonte Bashkimit Sovjetik qasje të drejtpërdrejtë në detet Adriatik dhe Mesdhe. Luftanijet sovjetike vizitonin rregullisht portet shqiptare, teksa zyrtarë të lartë të marinës e vizituan disa herë vendin, dhe pati bisedime për ndërtimin e një baze detare të përhershme për flotën sovjetike.
Zilja e parë e alarmit në marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare, ra pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953. Pas muaj më vonë, Enver Hoxha shkoi në Moskë për të diskutuar paketën e ndihmës për vendin të tij me udhëheqjen e re sovjetike, por u prit ftohtë teksa iu refuzua shumica e kërkesave që parashtroi.
Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1956, i famshëm për sulmin e Nikita Hrushovit ndaj kultit të Stalinit, ishte zilja kryesore e alarmit për udhëheqjen komuniste shqiptare. Procesi i de-stalinizimit u përhap jo vetëm në mbarë Bashkimin Sovjetik, por përtej kufijve të tij, duke depërtuar në vendet satelite komuniste.
Enver Hoxha, që ishte vetë një Stalin i “vogël”, kishte arsye që të shqetësohej. Gjatë krizës së menjëhershme politike (të njohur në Shqipëri si “Pranvera e gënjeshtërt” e vitit 1956”), Hoxha u kundërshtua nga disa politikanë të njohur komunistë, të nxitur nga fjalimi i Hrushovit.
Por Enver Hoxha doli fitimtar nga lufta e brendshme politike, e cila u kushtoi rivalëve të tij politikë lirinë, dhe në disa raste edhe jetën. Pas atij momenti, Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë, që njihte dhe nderonte ende kultin e Stalinit, dhe që ndiqte politika në përputhje me doktrinat staliniste.
“Stalini e dinte si zhvillohej lufta e klasave. Ai i goditi pa mëshirë armiqtë e socializmit… Stalini e tregoi veten një marksist-leninist të shquar, duke iu përmbajtur parimeve të qarta, dhe i zbsatoi ato me guximin, durimin, pjekurinë dhe largpamësinë e një marksisti revolucionar”-shkroi Enver Hoxha në librin e tij “Hrushovianët”, botuar në vitin 1976.
Megjithëse marrëdhëniet sovjetike-shqiptare u përkeqësuan gradualisht përgjatë viteve 1950 (Tirana u irritua nga pajtimi i Hrushovit me Titon), bashkëpunimi vazhdoi. Në vitin 1955, Shqipëria u bë një nga vendet themeltare të Paktit të Varshavës, dhe në vitin 1958 i dha flotës sovjetike qasje në bazën detare të Vlorës.
Por pakënaqësia e ndërsjellë po shtohej. Në fund të viteve 1950, Shqipëria e riorientoi politikën e saj të jashtme tek një tjetër aleat shumë më i madh kampit socialist, Kina. Kështu në Shqipëri nisën investimet kineze. Nga ana tjetër, Pekini shfrytëzoi të dhënat e mbledhura nga shërbimi inteligjent shqiptar:për gjithçka, nga lëvizjet e anijeve amerikane në Paqësor, deri tek detajet mbi testet e sistemit të mbrojtjes bregdetare në Tajvan.
Në një takim të përfaqësuesve të Partisë Komuniste në Moskë në tetorin e vitit 1960, Hrushovi dhe Hoxha hodhën akuza të ashpra ndaj njëri-tjetrit, për tradhtinë e idealve të komunizmit dhe luftës klasike marksiste-leniniste. Gjatë viteve që pasuan, bashkëpunimi shqiptaro-sovjetik hyri në ngërç.
Në vitin 1961, Moska e ndërpreu ndihmën ekonomike për Shqipërinë, dhe tërhoqi specialistët e saj. Po atë vit, u mbyll baza detare sovjetike në Vlorë. Flota Sovjetike u largua, ndërsa disa nëndetëse të drejtuara nga ekuipazhet shqiptare u lanë pas.
Ndërkohë në Shqipëri, nisi të organizohej një komplot anti-Hoxha nga ata që mbështesnin një përmbysje të udhëheqjes aktuale, dhe ruajtjes së lidhjeve të mira me Bashkimin Sovjetik. Por Sigurimi i Shtetit i demaskoi komplotistët, dhe drejtuesit e tij (përfshirë komandantin e marinës, Teme Sejko) u ekzekutuan me vdekje për bashkëpunimin e tyre të dyshuar me shërbimin sekret jugosllav dhe atë grek.
Po atë vit, Bashkimi Sovjetik i tërhoqi diplomatët e saj nga Tirana, dhe ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Nën presionin e Moskës, aleatët e Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore, nisën të reduktojnë përfaqësimin e tyre diplomatik në Shqipëri.
Nga ana e tyre shqiptarët, u tërhoqën nga Këshilli për Ndihmë Ekonomike të Ndërsjellë (në vitin 1962) dhe Pakti i Varshavës (de fakto në vitin 1961; zyrtarisht më 1968-ën), në të cilat ishin anëtare që nga fillimi. Në vitin 1975, Shqipëria kundërshtoi edhe ndryshimin e kursit nga Kina, e cila nisi rrugën e saj të transformimit të brendshëm politik.
Pasi humbi aleaten e saj të vetme të mbetur, Tirana u zhyt në një izolim total për 15 vjet, duke e gjetur veten të rrethuar nga shtete dashakeqe nga botët kapitaliste dhe socialiste. Sipas udhëheqjes shqiptare, vetëm Vietnami, Koreja e Veriut dhe Kuba, mbeteshin shtete të vërteta socialiste.
Dhe vetëm përfaqësuesit e këtyre vendeve, u lejuan të merrnin pjesë në funeralin shtetëror të Enver Hoxhës në vitin 1985. Telegramet e ngushëllimeve nga liderët botërorë (përfshirë Mikail Gorbaçovin) u kthyen mbrapsht.
E izoluar de fakto që nga vitet 1950, Shqipëria doli më në fund nga izolimi pas rënies së komunizmit në Evropë, vetëm për t’u zhytur menjëherë në një kaos të shfrenuar ekonomik dhe krim të organizuar. Vetëm atëherë Moska dhe Tirana, rivendosën raportet diplomatike mes tyre pas një ndërprerjeje 30-vjeçare.
/TIRANA TODAY