Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ditën e nesërme do të udhëtojë në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Rikujtojmë se në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Ndërkohë së fundmi, avokatët kanë parashtruar skenarët dhe opsionet se si mund të mbrohet Presidenti në Hagë.
Avokati Besnik Berisha pohoi se shkuarja e Thaçit në Hagë është një detyrim ligjor, pa mundësi evitimi, por po ashtu edhe një e drejtë fondamentale e secilit person të dyshuar/akuzuar për të dhënë versionin e tij lidhur me dyshimin apo dyshimet që rëndojnë kundër saj/tij, para ngritjes së aktakuzës formale dhe dorëzimit në Gjykatë.
Sipas Berishës, Thaçi do të ketë mundësinë për t’u deklaruar në secilën pyetje të Prokurorisë, sikurse do të ketë mundësinë edhe për të shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje, përveç të dhënave lidhur me identitetin:
“Duke qenë se procesi kundër tij dhe të tjerëve është shoqëruar që nga fillimi me parregullsi dhe lëshime jo vetëm procedurale, por edhe shkelje të etikës profesionale, dështime këto që vënë në dyshim serioz objektivitetin dhe paanshmërinë e Prokurorisë së Specializuar, gjykoj se z. Thaçi si alternativë do të zgjedhë mbrojtjen në heshtje, i bindur se pavarësisht çka ai do të deklaronte në këtë fazë, kjo nuk do e zhbënte tashmë faktin që aktakuza kundër tij veç është ngritur.
Do i mbetet gjykatës për të vlerësuar nëse do ketë apo jo prova të mjaftueshme dhe të ligjshme që justifikojnë konfirmimin e aktakuzës dhe fillimin e një gjykimi që, për bindjen time do të jetë i gjatë, i mundimshëm për palët dhe tejet i dëmshëm edhe për shtetin tonë”.
Nga ana tjetër, avokati Arianit Koci, deklaroi se Thaçi është dashur të jetë më transparent sa i përket ftesës që kishte pranuar.
Ai shprehet se në ftesë saktësohet cilësia e të ftuarit – a ftohet si dëshmitar apo i dyshuar, dhe për cilën vepër ftohet nëse eventualisht është i dyshuar:
“Pasi që është ngritur aktakuza, tani i kemi dy opsione:
– sipas rregullës 86 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësi i procedurës paraprake, mund të kërkojë më shumë hollësi nga prokuroria – e kjo mund ta determinojë edhe ftesën;
– Opsioni tjetër mund të jetë se z.Thaçi mund të jetë ftuar për ndonjë çështje tjetër e cila nuk ka të bëjë me krime lufte, por që është në kompetencë të Dhomave të Specializuara, e që ka të bëjë me komunikatën e prokurorisë që e ka lëshuar me rastin e dorëzimit të aktakuzës.
Në këtë komunikatë prokuroria pretendon se është penguar dhe sabotuar puna e Dhomave të Specializuara. Natyrisht, këto për momentin janë vetëm pretendime dhe mund të mos jenë të sakta”.
Ndërsa avokati Tahir Rreci ka thënë për “klankosova.tv” se nuk e di a do të mbrohet në heshtje Presidenti.