Komisioni i Rithemelimit ka ngritur dje Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do merret me drejtimin e procesit të referendumit që do të zhvillohet sot, për shkarkimin e Lulzim Bashës. Kryetare e këtij Komisioni do të jetë Albana Vokshi, ndërsa anëtarë do të jenë Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edith Harxhi dhe Keltis Kruja.
Këtij Komisioni i është ngarkuar detyra për të organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar referendumin ditën e sotme, deri në shpalljen e rezultateve. Ish-kryeministri Sali Berisha do të kërkojë të konfirmojë sot në bazën e Partisë Demokratike shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së.
Kjo do të bëhet përmes një referendumi, në të cilin janë thirrur 76 mijë anëtarë, ndërkohë që nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 17:00 pasdite, 106 QV në 71 degët e Partisë Demokratike në gjithë vendin do të jenë të hapura. Shumica e degëve të PD-së në të gjithë Shqipërinë kanë refuzuar referendumin e Berishës që do të mbahet sot.
Në fletën e votimit për këtë Referendum që, sipas Berishës do të rikthejë shpresën dhe lirinë, ngrihet një pyetje: “A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e kryetarit të PDSH Lulzim Basha? “Po”, (dakord me shkarkimin) ndërsa “Jo” (kundër shkarkimit). Raportohet se shumica e qendrave të votimit ku do të formalizohet shkarkimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, është se janë ngritur jashtë selive të Partisë Demokratike. Shumica e degëve që do të mbahet referendumi janë ngritur në lokale, biznese private apo edhe kinema. Kështu, Sali Berisha dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar nuk do të votojnë si zakonisht në selinë e PD, por kanë zgjedhur një lokal pranë ambasadës amerikane për të votuar për shkarkimin e Bashës.