Kryeministri Rama, sërish ka shmangur gazetarët për të dhënë komentin e tij në lidhje me vendimin e DASH për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai është pyetur sot nga gazetarët në sheshin “Skënderbej”, teksa shkoi për nisjen e vaksinimit të punonjësve të transportit publik. Rama ua ka prerë shkurt mediave, se është i fokusuar tek puna dhe se ende ka shumë për tu bërë.
“Jam 100% i fokusuar te puna, nuk e kemi ndalur punën. Nuk ka kohë për pushim. Jam shumë i vendosur të çelim një rrugë të re, në aspektin e komunikimit publik dhe të shmangim aspektet që e kanë kthyer politikën në telenovelë rraskapitëse.
Për mua ka më shumë rëndësi vaksina dhe puna për mandatin e tretë. Së shpejti do të dalim me angazhime konkrete, gjatë Kongresit të qershorit”, tha Rama.
Shpallja “non grata” e Berishës ishte sinjal i qartë se SHBA nuk do të druhet para askujt. Departamenti Amerikan i Shtetit, duket se ka vënë në alarm klasën politike shqiptare.
Pas asaj dite, në krahë të Berishës i ka dalë kreu i shtetit, Ilir Meta. Ky i fundit sulmoi fort amerikanët.