Mjekë të njohur, shpesh kanë apeluar për lehtësim të masave kufizuese dhe heqjen e fashës orare, por Komiteti sërish nuk i ka marrë parasysh. Nesër pritet të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, për të vendosur për masat e reja anti-covid në vendin tonë. Këtë fakt e konfirmoi Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila paralajmëroi zbutje të masave.
Po kështu edhe kryeministri Edi Rama, njoftoi se nesër mblidhet Komiteti i Ekspertëve për të njoftuar lehtësimin e mëtejshëm të masave anti-covid. Në një dalje publike, kreu i qeverisë tha se ndodhemi në një situatë optimale, por gjithsesi nuk duhet t’i zëmë besë 100% virusit.
“Nesër del Komiteti me masa të lehtësuara, dhe shpresojmë të kemi një sezon veror edhe më të çlirët se ai i herës së kaluar”, deklaroi Rama.
Prej gati dy muajsh, kurba e të infektuarve në Shqipëri ka ndjekur trend rënës, madje në dy ditët e fundit shifrat nuk i kanë kaluar 20 të infektuar dhe 1 të vdekur në 24 orë. Në fillim të majit, Komiteti tha do të presin ecurinë e këtij muaji për të marrë një vendim, pasi priteshin rritje rastesh si pasojë e grumbullimeve që ndodhën gjatë fushatës zgjedhore.