E hënë, 16 Maj, 2022
27.5 C
Tirana

Shkarkimi i Metës/‘Zëri i Amerikës’: Për herë të parë do të dëgjohet Presidenti

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Gjykata ka bërë një shqyrtim paraprak të kësaj çështjeje, ndërsa datën e mbajtjes së seancës plenare publike pritet ta vendosë në një rast tjetër sipas rregulloreve të saj.

Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, dr.Aurela Anastasi, thotë se kalimi për në seancë plenare publike nga Gjykata Kushtetuese i vendimit të Kuvendit është i rëndësishëm, sepse për herë të parë do të dëgjohet Presidenti Meta.

“Gjykata fton palët për të dëgjuar shpjegimet e tyre lidhur me çështjen. Presidenti Meta nuk shkoi para komisionit parlamentar, ndaj në seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese ai ka rastin të sqarojë pozicionin dhe veprimet e tij, të cilat Kuvendi i ka vlerësuar si shkelje të rënda. Seanca do të jetë publike, pra me dyer të hapura. Procesi ka marrë trajtën e një gjykimi themeli, përderisa palët ballafaqohen për herë të parë me dokumente dhe komente” – thotë dr. Anastasi.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikon gjykime të tilla të posaçme, në seanca që duhet të jenë publike, por nuk parashikon afate maksimale kohore. Ekspertët nuk pranuan të parashikojnë një afat kur mund të zhvillohet seanca e Gjykatës Kushtetuese, se kjo është në kompetencë të Gjykatës, por sipas përvojës së deritanishme, mendojnë se kjo mund të ndodhë brenda 2 deri 9 muaj.

Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i çështjeve kushtetuese në Tiranë thotë që më tepër se sa afatet, juridiksioni, procedurat, rëndësi të madhe ka kuorumi dhe vendimi i Gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë, kur sipas Kushtetutës duhet të ketë 9 anëtarë. Një vendim ligjërisht i rregullt nga gjykata me 7 anëtarë duhet të ishte në raportin e votave 5 me 2. Sa i saktë do të ishte ligjërisht një vendim në raportin 4 me 3? Kjo mbetet për t’u debatuar” – thotë zoti Hazizaj.

Me fillimin e procesit të vetingut Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit, sepse ish-kryetari dhe shumica e 9 anëtarëve të saj u dorëhoqën ose u rrëzuan gjatë procesit të rivlerësimit.

Disa nga anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese ende e paplotë janë propozuar pak kohë më parë nga Presidenti Meta, për të cilin tani pritet të gjykojnë nëse duhet shkarkuar.

Kuvendi i mëparshëm miratoi qershorin e kaluar shkarkimin e presidentit Iir Meta për 9 shkelje të rënda të Kushtetutës, pas qëndrimeve të tij përpara dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në “shkeljet e rënda të Kushtetutës” komisioni i posaçëm hetimor, renditi shkeljen e betimit, cënimin e procesit zgjedhor, cënimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, të imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës institucionit dhe abuzimin me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

Presidenti nuk u paraqit në komisionin e posaçëm hetimor, duke e quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga shumica socialiste.

Pro shkarkimit votuan 104 deputetë, por tani është Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit, duke i dhënë të drejtë ose jo Kuvendit. /VOA

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Strategjia detare 2035

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ Shqipëria jonë është e bekuar me mbi 450 km vijë bregdetare, ndërsa hapësira e interesave detare (det i brendshëm dhe territorial)...

Deklaratat për SPAK/ Hajdari: Politika të qëndrojë larg drejtësisë, “peshqit e mëdhenj” janë në rrjetë

Në daljet e fundit për mediat, kryeministri Rama është shprehur se po pret me padurim që SPAK-u të godasë nga të katër anët. Duket...

Plagoset ish kandidati për kreun e PS-së, ngjarja në lokalin e reperit të njohur

Ish-kandidati për kreun e Partisë Socialiste në Durrës, Ardit Kërtusha, është plagosur me armë zjarri mesditën e sotme. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në...

Gazeta austriake zbulon skandalin e madh, stafi i Metës vihet në lëvizje. Ja çfarë do ndodhë

Presidenca ka reaguar pas artikullit në gazetën austriake "Kronen Zeitung", duke i cilësuar si shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara. Reagimi është përcjellë nga ana...

SPAK mes PD dhe PS

Dikur PD e drejtuar nga Lulzim Basha nuk besonte te SPAK, por më pas jo vetëm depozitoi disa denoncime por kërkoi i pari që...