Pas përplasjes verbale me ligjvënës së PS-së, deputeti i dalë nga listat e PD-së dhe njëherësh kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ka braktisur mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Ky i fundit ka kërkuar që të njihet me materialet e rregullores së Kuvendit, por kërkesa është injoruar nga kryetari Ulsi Manja. Qëndrimi i Manjës është mbështetur nga kolegët socialistë, ndërsa ka thënë se nuk kanë kohë për t’iu rikthyer materialeve.
“S’kemi kohë të shikojmë pas, do ecim para”, tha Manja. Por kjo situatë nuk është mirëpritur aspak mirë nga Alimadhi, i cili ka shfryrë dufin. “Paskan bërë mirë ata që janë larguar nga Parlamenti, ju nuk pranoni asnjë propozim, u jap të drejtë atyre”. Në shenjë revolte, Alimadhi është larguar nga mbledhja.
Në rend të ditës së Komisionit të Ligjeve këtë të premte është vazhdimi i shqyrtimit nen për nen të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike mbi gjendjen në shërbimin civil, për vitin 2018”.