Bluzat e bardha janë më të rriskuara, si pasojë e pandemisë. Ndërsa ndodhen në krye të detyrës për të mbajtur në jetë pacientët e shumtë të infektuar, mjekët janë në betejën më të vështirë. Fatkeqësisht, një tjetër mjek ka humbur jetën nga Covid-19.
Në moshën 67- vjeçare është ndarë nga jeta mjeku pediatër nga Kavaja, Hidajet Deda.
Mjeku kishte më shumë se 40 ditë që vuante nga koronavirusi. I ndjeri ishte rezultuar negativ, por prej 20 ditësh ndodhej në një spital privat ku po merrte oksigjen, pasi koronavirusi i kishte lënë pasoja.
Sipas të afërmve të tij, mjeku ka shfaqur problemet pulmonare post Covid-19, të cilat dyshohet se i kanë marrë jetën.
Mjeku i njohur ishte në pension, por për shkak të nevojës së spitalit të Kavajës, ai kishte vendosur të rikthehej në shërbim të pacientëve.