Mos guxoni ta prekni Veton Surroin

Nga: Ben Andoni

Me propozim të shoqatës “Anton Pashku”, në vitin 2015, publicistit dhe krijuesit Veton Surroi iu dha titulli i lartë honorifik “Nderi i Qarkut” të Kukësit. As më shumë e as më pak, askush nuk pati kundërshtim sepse disa njerëz si Veton Surroi u bëjnë zakonisht nder titujve dhe jo titujt atyre. Por këtë të premte po Këshilli i këtij Qarkua vendosi që atij t’i hiqej titulli.

Përgjigjen më të mirë zyrtare e ka dhënë deri më tani kryeministri i vendit Edi Rama dhe askush nuk mund ta mëdyshojë, por shqetësuese mbetet sesi njerëz me këtë pak pushtet që kanë t’i japin vetes atribute që të prekin personalitete.

Është e vërtetë që Veton Surroi ka qenë kritik për shumë nga personazhet e luftës së Kosovës dhe mbi të gjitha narrativat e ndërtuara për luftën. Veçse pakkush si ai e ka futur në hullitë e duhura këtë luftë dhe respektin për Kosovën. Publicistika dhe krijimtaria e Surroit në përgjithësi ka dalë prej shumë kohësh nga qerthulli lokal duke i ndërkombëtarizuar me një punë tejet cilësore idetë e tij dhe punën intelektuale të qarqeve të Kosovës.

Në një farë mënyre, artikulimet e Veton Surroit i kanë paraprirë shumë kohë më parë problemeve reale të Kosovës por edhe qasjen tonë, duke e futur me një rrafsh krahasimtar bashkëkohor. Dhe, për këtë duhet me e vlerësu sepse ka qenë dhe mbetet barometër i pagabueshëm i situatës në Kosovë dhe jo vetëm kaq. Për më tepër dhe kur e kanë fyer, ai jo vetëm nuk është përgjigjur me të njëjtën monedhë por me anë të artikullit të radhës ka treguar klasin e lartë të publicistikës kosovare, që ai e përfaqëson bashkë me pak kolegë të tij. Janë pikërisht këta si Surroi, ata që sot ushqejnë shoqërinë kosovare dhe atë shqiptare dhe jo patetizmat e kinse heronjve dhe narrativat hipotetike.

Lexo edhe :   Pse Basha dhe Meta nuk krijojnë dot empati

Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë tek ky krijues mendimin e lirë ku kontrollon shumë ide për Kosovën dhe ato që i duhen asaj. Ndaj vendimi i fundit i një grupi drejtues të qytetit që bëri aq shumë gjatë luftës së Kosovës është jo vetëm i padrejtë por tejet përçarës. Lëreni Gjykatën e Hagës, që është ngritur nga parlamenti i Kosovës të kryejë si duhet punët e veta dhe heshtni që drejtësia të bëj punën e saj.

Heshtni dhe i kërkoni falje të sinqertë Vetonit, njeriut që iu dha një leksion të jashtëzakonshëm me fjalën e tij, kur mori këtë nderim vite më parë. Keni bërë një veprim, si Qark, që do t’ua zili të gjithë ata që e tollovisin kombin tonë. Më thjesht akoma: Mos e prekni Vetonin, mësoni prej tij! (Javanews)