Deputetja Rudina Hajdari i është përgjigjur menjëherë deklaratës së zëdhënësit të Ilir Metës, Tedi Blushi.
Pas postimit të Hajdarit, ku tha se presidenti Meta nuk e takon dot gruan e tij, Monika Kryemadhin si kryetare e LSI-së dhe në vend të saj është i detyruar të takojë, Petrit Vasilin, Blushi i është përgjigjur duke i kujtuar Hajdarit vetingun e të ëmës.
“I zhgënjyer shumë që Rudina nuk po e respekton “heshtjen zgjedhore” të partisë së saj të re që shkon nesër në votime. Megjithatë e mirëkuptojmë për shpërdorimin që i bën mbiemrit Hajdari, të paktën derisa t’i kalojë mami vettingun”, shkruan ai.
Ndërkohë, deputetja ka replikuar sërish, ku në një postim të dytë, shkruan se është çështje e organeve të drejtësisë nëse e kalon e ëma e saj vettingun apo jo.
“Kur zhgënjehet Tedi, që as nuk e njoh fare, vetëkuptohet se sa shumë mërzitem. Po të kthej përgjigjje meqë je Zëdhënësi i Presidentit dhe i bie që ky mesazh, aspak profesional, të jetë i Tij.
Gjithsesi, e kalon apo jo mami im Vetting-un, është çështje që i takon KPK, OMN & KPA, por ama kujdes kur i shkruani ato dekretet & çdekretet se po ju dridhet dora”, i përgjigjet Hajdari.