Bashkimi Europian ka filluar shpërndarjen e vaksinës anti-covid në të gjitha vendet anëtare, duke lënë jashtë saj vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Por, këshilltari i kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga përmes një postimi në Twitter, i është ”ankuar”, Presidentes së KE, Ursula Von Der Leyen lidhur me këtë fakt, duke thënë se popullsia e rajonit është sa një vend i vetëm i BE-së.
Ndaj sipas tij, vaksina duhet shpërndarë edhe për shtetet fqinje me ato të unionit.
Ndërkohë, ditën e sotme, Ambasada e Rusisë në Tiranë tha se është e gatshme që të sjellë në Shqipëri vaksinën anti Covid-19 që ka prodhuar ky vend, “Sputnik V”.
Selia Diplomatike iu përgjigj Endri Fugës, duke i bërë në njëfarë mënyrë një ”ofertë” vendit tonë.
“I nderuar z. Endri Fuga,
Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”, i shkruan Ambasada ruse Fugës, në rrjetin social Facebook.