Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e Parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.
Teksa PD-ja përjashtoi z. Murrizi nga partia, ende nuk është marrë nje vendim për znj. Hajdari, të bijën e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.
Ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në emisionin ‘Zonë e Lirë’ se kriza politike do të përfundojë vetëm me zgjedhje të parakohshme. I pyetur për kandidatët nga listat vijuese të PD-së që pranuan mandatin dhe Rudina Hajdarin, e cila ka dalë kundër vendimit të grupit, Basha tha se:
“Nuk kam ndërmend që të merrem me asnjërin prej tyre, por dua të them se motivi i atyre që kanë qëndruar, nuk i shërben interesit publik dhe qytetarëve. Ata që dalin kundër këtij vendimi, nuk i shërbejnë demokracisë, se për çfarë motivesh kanë shkuar…Kjo krizë politike do të përfundojë me zgjedhje të parakohshme” .
Rudina Hajdari mori në heshtje vendimin për të qendruar në Parlament, ndërsa opozita dorëzoi njëherazi mandatet. Ajo dhe Myslym Murrizi i Lushnjes janë të vetmit që nuk zbatuan vendimin e PD-së.
Deputetja Rudina Hajdari ka zgjedhur të flasë për “Zërin e Amerikës” pas 3 javësh, duke thënë se “nuk e dorëzova mandatin, sepse mendoj se Parlamenti i jep oksigjen demokracisë. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë, mendoj që qëndrimi në Parlament do të ishte vendimi më i duhur”.