Gjykata e Sarandës ka caktuar sot masën“Arrest me burg” për 41-vjeçaren që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës së saj 13-vjeçare.
Rasti u bë publik nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku u tregua edhe një material audio ku dëgjohej Elisabeta Mita teksa shante dhe godiste vajzën e saj që qante.
Ishte ish-bashkëjetuesi i saj, Arjan Mekollari, i cili regjistroi materialin dhe denoncoi 41-vjeçaren. Bëhet me dije se seanca e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa asnjë familjar i të akuzuarës nuk ka qenë i pranishëm.
Avokati i 41-vjeçares ka mohuar akuzat që ish-bashkëjetuesi ka ngritur për Elisabetën. Sipas tij, Arjan Mekollari e ka manipuluar të gjithë situatën duke pretenduar se 41-vjeçarja dhunonte vajzën e saj.
“Sapo ka mbaruar seanca dhe u vendos ndalimi i klientes time. Kjo shtetase ka pasur kontradiktë që në muajin shtator me ish-bashkëjetuesin e saj, Arjan Mekollari, i cili ka manipuluar situatën, duke paraqitur sikur kjo shtetase dhunonte fëmijën e saj”, tha ai.