Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj para pak ditësh rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe aktualisht ndodhet i vetëizoluar në shtëpi.
Brataj nuk ka nguruar që të shpërndajë një mesazh në rrjetin social Facebook, ku falenderon përzemërsisht të gjithë qytetarët që janë interesuar për gjendjen e tij shëndetësore dhe i kanë uruar shërim të shpejtë.
“Mesazhet tuaja qenkan jo vetëm kurajo, por medikamenti më i mirë i kësaj terapie kundër koronavirusit Sars Cov2, që shkakton sëmundjen e COVID-19”, shkruan ndër të tjera Brataj.
Postimi i plotë i Brataj: “Përshëndetje! Mesazhet tuaja qenkan jo vetëm kurajo, por medikamenti më i mirë i kësaj terapie kundër koronavirusit Sars Cov2, që shkakton sëmundjen e COVID-19.
Nuk e them për t’ju falenderuar më shumë nga ç’duhet, nuk e them për t’u dukur më i rëndësishëm, nuk e them për publicitet, nuk e them për të marre sa më shumë share…
Jo! Për asnjë nga këto arsye!
Si gjithmonë, i drejtpërdrejtë me ju, këtë e ndjej ta them, e ndjej ta shpreh, e ndjej ta ndaj me ju qindra e mijëra persona që i shoh për herë të parë në profilin tim, e ndjej ta ndaj me pacientë, miq, shokë, mjekë, infermierë, shoferë, sanitarë, kolegë, profesionistë, bashkëpunëtorë, politikanë, gazetarë, media dhe njerëz të thjeshtë, që nuk pushuat dhe vazhdoni të shkruani e të më uroni shërim të shpejtë.
Nuk është aspak e thjeshtë për askënd të marë lajmin se është i infektuar nga coronavirusi; nuk është aspak lajm i mirë kur ke të gjitha shenjat dhe simptomat e sëmundjes, kësaj sëmundje tinzare dhe jo plotësisht të njohur; nuk është aspak e këndshme që familiarët dhe bashkëpunëtorët e tu të njoftohen nga mediat!
Ju garantoj se kura më e mirë është POZIVITETI JUAJ pa fund, pa masë, pa ndërprerje, pa limit, pa dallim, pa kufij, nga çdo qytet, fshat, apo shtet, që çdo ditë të jep energji, të jep kurajo, të jep emocion, të jep dashuri humane pa fund, aq sa shumë herë të derdhësh lot, po lot me ngashërim, lot që pushojnë vetëm kur heq sytë nga ato mesazhe, sms, apo hartime tuajat të shkruajtura me fjalë zemre, me dashuri nëne, shoku, kolegu, me ndjenjë humane.
Unë tani kam pak kollë dhe shenja më të lehta të sëmundjes. Jam më mirë, edhe falë këtij poziviteti të vazhdueshëm që ju më dhuroni.?
Shpresoj të kthehem sa më shpejt……
UNË DO TË KTHEHEM që të vazhdojmë këtë betejë të ashpër së bashku, për t’ju shprehur edhe njëherë, SHUMË, SHUMË, SHUMË, SHUMË MIRËNJOHJE !
FALENDERIMI PËR JU ËSHTË SHUMË PAK!
Dr. Skënder Brataj”.