Bota

Rënia e Agimit të Artë në Greqi, dëshmi se fashizmi mund të ndalet


               Publikuar në : 13:48 - 21/09/19 S.N

Nga Kevin Ovenden  “Peoples World”

Agimi i Artë, mbylli të shtunën e kaluar selinë e saj qendrore në Athinë. Kjo ishte një tjetër goditje e madhe ndaj partisë neo-naziste greke, liderët e të cilës po gjykohen prej 4 vitesh e gjysmë për organizimin e një veprimtarie të madhe kriminale.

Ky zhvillim, dhe lajme të tjera nga Greqia ditët e fundit, duhet të frymëzojnë të gjitha lëvizjet antifashiste në të dyja anët e Atlantikut. Neo-nazistët, ishin vendosur në vitin 2012 në ndërtesën 5-katëshe në Avenue Mesogeion të Athinës. Ajo simbolizoi hyrjen për herë të parë në parlament të kësaj force ekstremiste politike.

Asokohe, Agimi i Artë nisi të zgjerojë aftësinë e vet për t’u përleshur në rrugë me policinë, ndërsa nisi të pretendojë të bëhet një “parti kombëtare” në kulmin e krizës ekonomike greke.  Sot, kjo parti është detyruar të braktisë selinë e saj prestigjioze, dhe të zhvendoset sërish në zyra më të vogla.

Brenda kësaj partie ka tashmë shumë grindje dhe përçarje. Dhjetëra seli partiake anembanë Greqisë, janë detyruar të mbyllen gjatë 2 viteve të fundit, si rezultat i fushatës së forcave antifashiste, sikurse është koalicioni KEERFA (Unioni Kundër Racizmit dhe Kërcënimit Fashist), dhe për shkaqe të brendshme dhe të krizës financiare.

Në zgjedhjet parlamentare të përgjithshme të korrikut të këtij viti, ku Demokracia e Re e qendrës së djathtë, zëvendësoi në pushtet qeverinë e qendrës së majtë të SYRIZA, Agimi i Artë nuk arriti të kapte pragun 3 për qind, dhe e humbi përfaqësimin e tij parlamentar.

Pas atyre zgjedhjeve, organizata fashiste u detyrua t’u thoshte lamtumirë të ardhurave të 15 deputetëve, dhe mbi 50 anëtarëve që ishin në listë-pagesën e parlamentit grek. Kjo përshpejtoi një krizë që kishte parë edhe më herët, me ndarje të hidhura dhe dezertime deputetësh, eurodeputetësh dhe këshilltarësh dhe në gjithë Greqinë.

Është një rënie mbresëlënëse, në krahasim me disa vjet më parë, kur suksesi i Agimit të Artë e bëri atë një pikë reference për të djathtën ekstreme në Evropë. Ajo që ofroi Agimi i Artë, ishte modeli që ndërthurte përleshjet e dhunshme në rrugë, me arritjet e mëdha elektorale sidomos që nga viti 2012.

Deri në vitin 2015, ajo ishte partia e tretë parlamentare. Taktika dominuese e Agimit të Artë, ishte të krijonte një klimë terrori në lagjet e qyteteve. Përmes sulmeve ndaj emigrantëve, të majtëve, sindikalistëve dhe kundërshtarëve të gjitha llojeve.

Njësitë bazë të organizatës janë “skuadrat e batalionit”, sipas modelit të Këmishë kadifenjve të Hitlerit. Kësisoj, suksesi elektoral në vitin 2012, iu atribuua organizimit të tij paramilitar. Kjo solli një valë në rritje të dhunës, që arriti kulmin me vrasjen e reperit anti-racist Pavllos Fizas, në shtatorin e vitit 2013.

Çështja e tij, është baza e gjykimit të 69 udhëheqësve të Agimit të Artë dhe anëtarëve të tjerë të vijës së ashpër, që nisi në prillin e 2015-ës, dhe që sot është në fazat e tij përfundimtare. Anëtarët e Agimit të Artë, akuzohen për vrasjen e Fizas, për tentativën e vrasjes dhe sulmin ndaj një grupi peshkatarësh egjiptianë, dhe për sulmin gati fatal ndaj sindikalistëve pranë portit të Pireut. Udhëheqja si një e tërë, akuzohet për drejtimin e një organizate kriminale, që ka urdhëruar dhe drejtuar kryerjen e krimeve të tjera.

Gjatë gjyqit, kanë dalë në skenë shumë krime të tjera, për të cilat janë shpallur fajtorët përkatës. Agimi i Artë, e ka pranuar se gjyqet ndaj tij, kanë luajtur një rol të madh në paralizën e strukturave të partisë. Vendimet gjyqësore, priten të jepen në fillim të vitit të ardhshëm. Kërcënimi nga fashizmit dhe racizmi i dhunshëm nuk do të zhduken, edhe nëse burgosen drejtuesit kryesorë të Agimit të Artë.

Por lajmi që vjen nga nga Greqia këtë javë, është se ndarjet politike apo kriza ekonomike, nuk e bën të pashmangshme fitoren e forcave fashiste. Ky nuk ishte mesazhi  që jepej 4 vjet më parë. Kur qeveria greke u përplas me BE-në, ministri i Jashtëm dhe ministri i Financave, Janis Varoufakis, thanë se përfituesit e vetëm nga rrënimi ekonomik i Greqinë, do të ishin Agimi i Artë, Marin Lë Pen në Francë, dhe forca të tjera fashiste apo ekstremiste në Evropë.

Në kontinent po shtohen përplasjet politike. Faksionet e AfD në Gjermani po përleshen mes tyre. Ekstremistët në Britani, shpresojnë të përfitojnë nga kriza e Brexit. E megjithatë siç po e tregon Agimi i Artë në Greqi, fashizmi mund të ndalet./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT