Pak ditë më parë u përfol për një post të rëndësishëm që kryeminsitri Rama ia ka dhënë moderatores tashmë të dashur për publikun shqiptar, Eni Vasili. Shumë u aludua në lidhje me faktin se sa është shuma që ajo do të merrte në lidhje me kontributin që do të jepte në këtë drejtim.
Portalet u fokusuan në faktin se gazetarja dhe autorja e emisionit “Open” në “Top Channel”, Eni Vasili, ka marrë një post të lartë në administratën e Edi Ramës, dhe me një shpërblim të majmë. Ajo është propozuar si anëtare e Këshillit të Statistikave, si përfaqësuese e sektorit të medias.
Në fakt, ky nuk është një post pune dhe as një post në administratë, por mund të konsiderohet një kontribut, pasi nuk ka as rrogë dhe as shpërblime.
Këshilli i Statistikave është organ i ngarkuar për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e INSTAT-it, në rolin e tij për zbatimin e aktiviteteve statistikore të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare. Këshilli i Statistikave përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët përfaqësojnë agjencitë statistikore, përdoruesit e statistikave zyrtare, botën akademike, shoqërinë civile, median dhe sipërmarrësit privatë.
Gazetarja Eni Vasili ka pranuar të jetë anëtare në një Këshill, edhe pse nuk ka asnjë pagesë, thjesht për të dhënë eksperiencën e saj si gazetare. Vendimi nr. 656, datë 31.10.2018, thotë që nuk ka shpërblime dhe pagë mujore, por vetëm një pagesë për shpenzime prej 100 mijë lekësh të vjetër. Keshilli mblidhet 4 herë në vit.