Kreu i PD-së, Lulzim Basha, është treguar hermetik lidhur me takimin që pati gjatë paradites me zv.ambasadoren amerikane në Tiranë. Ai ka zgjedhur që të heshtë në këtë drejtim, ndonëse interesi i mediave ishte i madh. “Nuk bëj asnjëherë komente as mbi deklaratat, dhe as takimet periodike që kemi me partnerët strategjikë”, tha ai.
Teksa kryeministri Rama nga “Porta a Porta” e quajti miku im, Basha thotë se populli ka folur, dhe kryeministri është shkaktar i kësaj krize të shumëfishtë në vend. Ai ka kërkuar nga Rama që të dëgjojë zërin e popullit, dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike.
“Populli ka folur edhe dje, do të flasë çdo protestë, do të flasë dhe më 16 mars. Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit, dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike. Ti zgjidhë duart drejtësisë, dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes “339” dhe dosjes “184”.
Natyrisht e di se nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse është pjesë e kësaj dosje. Ndaj zgjidhja kur të gjitha pushtetet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit. Populli do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij, derisa të kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një Parlament dhe qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët”.