Rama: Do të marrim një lajm të mirë për një sasi të konsiderueshme vaksinash

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ambientet e stadiumit ”Air Albania”, ku nga dita e sotme do të trajnohen 400 infermierë për t’iu bashkuar skuadrës së vaksinatorëve në terren.

Gjatës fjalës së tij, Rama u shpreh se nga mesi i muajit mars do të vijnë 14 mijë vaksina anti-covid nga Astrazeneca, të cilat do të përdoren për të vaksinuar mësuesit.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se së shpejti do të marrim një lajm të mirë për një sasi të konsiderueshme vaksinash.

Edi Rama: ”Numri i shteteve që nuk kanë marrë asnjë dozë është mbi 120, ne e kemi filluar. Kemi nisur me hapa të vegjël, por kemi nisur me moshat më madhe. Presim në mes të marsit sipas impenjimit të kompanisë AstraZeneca rreth 14 mijë vaksina që do ti fusin në punë për mësuesit. Vaksinimi i mësuesve do bëhet në shkolla. Do të marrim një lajm të mirë për një sasi të konsiderueshme dhe për këtë angazhimin masiv ju jeni vlera e shtuar. Mirënjohje për këtë angazhim. Besoj se profesionalisht do të jetë një eksperiencë e pasur. Ju uroj nga zemra gjithë të mirat, shëndet dhe natyrisht mbani maskën, ruani distancën, lani duart dhe kini besim që drita që është shfaqur në fund të tunelit do të vijë duke u shtuar çdo ditë”.