Policia ka nisur sot aksionin për prishjen e disa objekteve te Selvia, në Tiranë. Aksioni i tyre ka hasur edhe kundërshtimin e disa banorëve dhe pronarëve të objekteve, të cilët e cilësojnë aktin e policisë ilegjitim. Një nga pronarët për kamerat e News 24, tha se ndodhet në një moment shumë të vështirë, ndërsa pretendon se disponon të gjitha dokumentet e rregullta.
“Policia është kundër nesh. Kemi bërë denoncim te Drejtoria e Policisë. Nuk di çfarë të them se jam në një moment shumë të vështirë, jam me ilaçe.
Ne duam paqe, duam njerëzëllik. Çfarë do ha unë nesër, me çfarë do i marr ilaçet. Policia ru tani që të prishet objekti.”-shprehet një nga pronarët, raporton BW.
Pronari është shprehur se godina ka qenë ekzistuese që para viteve 90 dhe kishte funksionin e një poste. Më pas është privatizuar. Ndërsa ai pretendon se është pajisur me leje për tërikonstruktuar objektin në kohën kur kryeministri Rama mbante postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ndërsa tani është Veliaj që ia shemb, raporton gazetari i News 24.
Ndërkohë, gazetari Erion Skendaj raporton për “Balkan Web” se prishja e objekteve në këtë zonë ka nisur dhe se brenda njërës prej tyre ndodhen të ngujuar tre të rinj. “Ka mbetur pa prishur objekti ku janë tre të rinjtë. Për hir të së vërtetës ata janë besimtarë myslimanë. Ata e kanë mësuar lajmin e prishjes së objektit kur po shkonin në xhami. Ata e kanë çelur iftarin brenda.”-tha gazetari Skendaj.