Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kakavijë, ku qindra njerëz po presin në radhë për të kaluar kufirin.
Përmes një postimi në Facebook, Meta i ka bërë thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.
“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19. I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!”, shkruan ai.
Radha është krijuar për shkak të vendimit të palës greke për të kryer testimin në kufi. Kjo e fundit po punon me kapacitete mjekësore, të cilat nuk po e përballojnë dot situatën, por kanë premtuar se do t’i shtojnë ato në orët në vijim.