Qeveria ka vendosur të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në një kohë kur vendi ynë po përballet me një situatë kaotike të pandemisë COVID-19. Lufta ndaj armikut të padukshëm, do të vijojë në të gjitha frontet. Deri më tani, 5 persona nuk ia kanë dalë dot mbanë, dhe 123 persona janë të prekur.
Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, bëhet me dije se është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. Me marrjen e këtij vendimi, qytetarëve u kufizohen të drejtat e garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës, deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.
TË DREJTAT QË KUFIZOHEN
Neni 37: Paprekshmëria e banesës është e garantuar. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
Neni 38: Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.
Neni 41: Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Neni 49: Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
Neni 51: E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.
SA DO ZGJASË GJENDJA E FATKEQËSISË NATYRORE
Sipas Aktit Normativ që është konsuluar me Komitetit Ndërministror i Emergjencave Civile, i ngritur me vendimin nr.750, datë 27.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë”, të ndryshuar, është organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së caktohet dhe ministri i Shtetit pë Rindërtimin.
MASAT QË DO MERREN
Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme, që do merren nga institucionet publike janë: a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore; b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara; c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike; ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar; d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë; dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat; e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike; ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19; f) të krijojnë dhe tësigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin; g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës; gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.