Pse Putin dhe Bajden kanë nevojë për njëri-tjetrin

Nga Owen Matthews “Spectator”

A mendon Xho Bajden se Putini është një vrasës? e pyeti gazetari i ABC, Xhorxh Stefanopulos, shefin e Shtëpisë së Bardhë.“Hmm, po!”- u përgjigj presidenti amerikan. Dikur, kjo deklaratë do të kishte shkaktuar një tërmet diplomatik. Po sot?

Bajden mund ta fyejë Putinin pa u ndëshkuar, pasi ai beson se Rusia nuk është më e rëndësishme apo e rrezikshme. Dikur një armike serioze vdekjeprurëse, rivaliteti i së cilës kërcënonte të shkatërronte jetën në planetin tonë, statusi i zvogëluar i Rusisë nënkupton këto kohë se nga konflikti i dikurshëm mbeten shumë pak gjëra.

Ne nuk mendojmë më në termat e Luftës së Ftohtë, dhe kjo për disa arsye. Së pari, askush nuk është i barabartë me SHBA. “Askush nuk është si ne. Përveçse nëse çmendet deri në pikën që të nisë një luftë bërthamore, nuk ka asgjë tjetër që mund të bëjë Putini ushtarakisht për të ndryshuar rrënjësisht interesat amerikane në botë”- deklaroi Bajden në një fjalim të tijin para parlamentit ukrainas në Kiev në vitin 2014.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë si një çift i vjetër i divorcuar, dhe që grinden ende edhe 40 vjet pasi martesa e tyre ka marrë fund. Rusia vazhdon të mbetet e varur nga fuqia dhe shkëlqimi i dikurshëm i ish-Bashkimit Sovjetik, për të vërtetuar statusin e saj të vazhdueshëm në botë.

Dhe shumë amerikanë duan ende fshehurazi të kenë një armik të huaj të besueshëm për ta fajësuar sa herë që lëkundet demokracia e tyre. Frika e vjetër mund të jetë zhdukur prej kohësh, por si Uashingtoni ashtu edhe Moska arrijnë të përhapin disa nga shkëndija te

“hirit të vjetër”të Luftës së Ftohtë.

Këmbëngulja e Amerikës se Rusia po ndërhyn në demokracinë e saj, dhe se spiunët e saj gjenden kudo, i jep Putinit një hov të madh të brendshëm për statusin e tij si një gjeni ndërkombëtar i së keqes dhe mjeshtër i plotfuqishëm në skenën ndërkombëtare.

Xho Bajden dhe Vladimir Putin nuk kanë dalë krah përkrah njëri-tjetrit në foto prej të paktën një dekade. Herën e fundit që Bajden takoi Putinin në Kremlin ishte në vitin 2011, kur Bajden ishte zv/president dhe kryeministri Putin homologu i tij, pasi kishte ndërruar përkohësisht rolet me Dimitry Medvedev.

“Unë të shoh direkt në sy, dhe mendoj se je i pashpirt”- deklaroi Bajden. Putini buzëqeshi dhe u përgjigj:“Ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin!”. Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur nëse zgjedhim t’i besojmë Xho Badenit. Por ndoshta Bajden e kupton vërtet Putinin.

Por nëse Putini e kupton Bajdenin, kjo është më pak e qartë. Përgjigja e Putinit ndaj etiketimit “vrasës”, ishte se vrasësi është Bajden. “Kur isha fëmijë, dhe grindeshim me njëri-tjetrin në sheshin e lojërave, ne thoshim:Ajo që thua, është ajo që ti vetë je”-deklaroi Putin. Gjithashtu, ai i uroi Bajden “shëndet të mirë”.

Ndërkohë, Putin duhet të ketë qeshur në Kremlin të nesërmen, kur Biden rrëshqiti jo një herë, por 3 herë gjatë kohës që po ngjiste shkallët te Air Force One. Po, Putini zotëron arsenalin e vetëm bërthamor në botë, që mund të krahasohet vetëm me atë të Amerikës.

Por në çdo kuptim tjetër Rusia mbetet ajo që Henri Kisinger e ka quajtur“Burkina Faso me raketa bërthamore”. Ekonomia ruse është vetëm e 11-ta më e madhe në botë, midis asaj të Koresë së Jugut dhe Brazilit. Për të ardhurat për frymë, ky vendi renditet i 61-ti, midis Bullgarisë dhe Grenadas.

Lexo edhe :   Biden: Ditë e mrekullueshme për Amerikën

Vetëm buxheti i mbrojtjes prej 700 miliardë dollarësh i SHBA-së, përbën gjysmën e PBB-së së Rusisë. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetike, Rusia e Putinit nuk ka aleatë rajonalë apo ndërkombëtarë, dhe ka pak pushtet të butë ideologjik. Mënyrat e vetme përmes së cilës Kremlini ka arritur të imponohet që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, ka qenë pushtimi i fqinjëve shumë më të dobët si Gjeorgjia dhe Ukraina; dhe vendosja e ushtrisë së saj në vendet ku Perëndimi nuk ka pranuar të përfshihet, si Siria dhe Republika e Afrikës Qendrore; si dhe përfshirja në luftëra të paligjshme (termi diplomatik është “asimetrike”) e zhvilluar përmes sulmeve kibernetike, fushatave të dezinformimit dhe helmimit të kundërshtarëve.

Në fakt, gjatë 21 viteve në pushtet, Putini ka shënuar vetëm një fitore të rëndësishme diplomatike dhe ushtarake mbajtjen në pushtet të Bashar Al-Asadit. Në këto kushte, ekzistojnë vetëm 3 pika reale të fërkimeve midis Bajden dhe Putin, ku asnjëra prej tyre nuk është thelbësore.

E para është Ukraina, ku trupat ruse rritën tensionet në fillim të prillit duke kryer një stërvitje të madhe ushtarake pranë kufirit. Por edhe Putini e di që një sulm i hapur ndaj Ukrainës, do të shkaktonte një konflikt me SHBA dhe BE, përballë të cilave ai nuk mund të shpresojë të fitojë.

Së dyti është gazsjellësi“Nord Stream 2” që lidh Rusinë me Gjermaninë dhe rrjetet e gazit të Evropës Lindore. Uashingtoni dhe Berlini kanë diskutuar mbi varësinë e rrezikshme ekonomike që kjo mund të shkaktojë për një dekadë. Por Berlini mbetet i vendosur të ecë përpara, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj kompanive evropiane të angazhuara në të.

E treta është kërcënimi i një aleance ushtarake midis Rusisë dhe Kinës. Lidhjet e Moskës dhe Pekinit janë ngrohur vitet e fundit, ndërsa marrëdhëniet me Perëndimin janë ftohur. Një traktat i miqësisë Kinë-Rusi pritet të zgjatet dhe zgjerohet në korrik të këtij viti.

Trupat kineze që janë stërvitur së bashku me rusët që nga viti 2018, do të marrin pjesë këtë vit për herë të parë në lojëra lufte në kufirin evropian të Rusisë. Por në të njëjtën kohë Pekini e ka shkatërruar pa mëshirë ndikimin e mbetur rus në Azinë Qendrore.

Tregtia 100 miliardë dollarëshe në vit midis Kinës dhe Rusisë, është kryesisht e kufizuar tek importet e gazit dhe naftës, dhe është 6 herë më e vogël sesa tregtia e përgjithshme e Kinës me SHBA-në. Ndaj presidenti Xi mund të shohë tek Putini një mbështetje të dobishme diplomatike në lojërat e tij të vazhdueshme të pushtetit me Uashingtonin.

Nga ana tjetër, simbolika e Luftës së Ftohtë është ende në lojë, veçanërisht nga pala ruse. Klasa politike ruse dhe media e kontrolluar nga Kremlini mbeten të fiksuara pas Amerikës.

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Putini hoqi dorë nga përpjekjet për t’u integruar në Perëndim, dhe e sheh tani veten si udhëheqës të një lëvizjeje ndërkombëtare, konservatore, ortodokse kundër Perëndimit dekadent, liberal. “Putini ka nevojë për SHBA-në si një armik për legjitimitetin e tij të brendshëm”- thotë Majkëll Mekfol, ish-ambasadori i SHBA-së në Moskë në vitet 2012-2014.

 

Marrë me shkurtime : https://spectator.us/topic/vladimir-putin-joe-biden-need-russia

Përshtatur për Tirana Today