Përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri, me anë të një emaili ka konfirmuar se mbledhja e Këshillit do të bëhet në orën 17:30 në pallatin e Kongreseve.
Bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së opozitës së bashkuar për rimbledhje për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë. Gjiknuri shprehet se pavarësisht se ende nuk ka propozime konkrete nga ana e dy përfaqësuesëve të opozitës, pranon të ulet në tryezë me ta.
“Ju rikujtoj se në mbledhjen pesë orëshe të datës 21 Korrik, thërritur prej nesh, ju është prezantuar nisma e opozitës parlamentare për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e ndjekur nga Kuvendi, varianti i dakordësuar dhe miratuar nga Këshilli i Rregullores dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bashkë me relacionin përkatës.
Ndonëse dokumenti ka qenë krejtësisht publik, në faqen zyrtare të Kuvendit, ashtu sikurse të gjitha seancat e zhvilluara në komisione kanë qenë të hapura e publike, meqenëse ju deklaruat se ishit në mungesë dijenie, ju dorëzua edhe zyrtarisht një kopje nga sekretaria e Këshillit Politik.
Në kushtet kur ju pranoni mungesën e propozimeve konkrete të cilat do duhej të ja dërgonit paraprakisht anëtarëve të Këshillit dhe duke vlerësuar gjithsesi gatishmërinë tuaj për tu takuar, ju konfirmoj pjesëmarrjen në mbledhje. Mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të zhvillohet ditën e sotme, e premte 24 korrik 2020, në orën 17:30 pranë ambienteve të sallës Ovale te Pallati i Kongreseve”, shkruan Gjiknuri në email.