Dhjetra simpatizantë të PD-së janë përplasur me policinë në qytetin e Fierit, duke qëndruar pranë ambientit ku po mbahet takimi i kryeministrit Edi Rama me gratë dhe vajzat.
Mësohet se protestuesit kanë çarë kordonin e policisë, ndërkohë që Edi Rama po zhvillon një takim me gratë e Fierit. Forcat e policisë po përpiqen të neutralizojnë turmën e protestuesve, që janë të pajisur me skafandra mbrojtëse.
Pak momente më parë, protestuesit dolën në rrugën hyrëse të qytetit, me qëllim ndërprerjen e rrugës për kryeministrin Rama. Atje ata i kanë vënë flakën gomave pranë një karburanti në Roskovec, duke rritur rrezikshmërinë për kalimtarët dhe banorët e zonës.
Kryetari i PD-së në Fier, Luan Boçi u ka dalë në mbështetje protestuesve, i cili ka ngritur akuza ndaj policisë, se ka goditur protestuesit për të ndaluar kalimin e tyre. Sipas tij, protesta që po zhvillohet është paqësore, dhe se nuk janë lejuar të kalonin as zonjat të cilat janë nisur për të festuar 8 marsin.