Probleme te opozita/ Pas Ndokës, Mediu dhe Duka kanë një kërkesë për Bashën

Pas mosmarrëveshjes me kreun e Partisë Demokristiane Nard Ndoka, kryedemokratit Lulzim Basha i ka dalë një tjetër problem, këtë herë me kreun e PR Fatmir Mediu dhe kreun e PAA Agron Duka.

Mediu dhe Duka janë kthyer në selinë e Partisë Demokratike për të negociuar me kryedemokratin, pasi kërkojnë që logot e tyre të përfshihen poshtë emrit të koalicionit.

Ndërkohë, në selinë e Partisë Demokratike kanë mbërritur të gjithë aleatët e PD-së, përveç Nard Ndokës, i cili nuk ka arritur ende një marrëveshje me Bashën. Në selinë e PD ka shkuar edhe Sali Shehu i FRD-së për të negociuar për një marrëveshje të mundshme.

Koalicioni opozitar finalizoi këtë të mërkurë marrëveshjen me të cilën do të regjistrohet në zgjedhje. “Partia Demokratike – Aleanca për ndryshim” është emri që PD dhe aleatët e saj kanë zgjedhur për të garuar më 25 prill.

Ndërkohë, partitë e tjera po vazhdojnë të negociojnë për të gjetur një marrëveshje, por kanë kohë deri në orën 00:00, kohë kur mbaron edhe afati për regjistrimin e koalicioneve në KQZ.