Zbardhen prapaskenat e “luftës” që po ndodh në politikën shqiptare sa i takon krizës që ka mbërthyer vendin. PD e LSI kanë djegur mandatet dhe po bojkotojnë zgjedhjet vendore, ndërkohë që thirrjet për mosbindje civile janë shtuar ndjeshëm. Por arkitektët e kësaj situate duket se janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Dje Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar të PS, ku një hapësirë i është kushtuar dhe opozitës. Sipas burimeve nga mbledhja e mbajtur me dyer të mbyllura, kryeministri Rama ka treguar detajet nga mundësia e gjetjes së një konsensusi me PD-LSI. Ai ka thënë se disa ditë më parë Basha ka shfaqur gatishmëri për të negociuar me PS, me qëllim që t’i jepet fund krizës politike.
Sipas Ramës, palët kanë qenë shumë afër një tryeze të përbashkët, por gjithçka ka dështuar në minutat e fundit. Kjo pasi, sipas kreut të ekzekutivit, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi janë vënë në lëvizje duke mos e lejuar Bashën që të hedhë asnjë hap drejt dialogut. Madje, në mbledhjen e PS është thënë se Astrit Patozi po futet në zgjedhje nga Berisha pikërisht për t’i bërë presion Bashës, se nëse ai tërhiqet nga skenarët destabilizues, frenat e opozitës do i marrë ish-deputeti i PD. Po sipas diskutimeve dje, Berisha e Kryemadhi po i bëjnë shumë presion Bashës që të shkojë te destabilizimi dhe të tërhiqet nga dialogu. Edhe burime të gazetës në PD kanë konfirmuar se kemi një “luftë” të fortë mes Bashës dhe Berishës e Kryemadhit.
Kreu demokrat e ka kuptuar se të gjithë skenarët që po ndiqen e largojnë PD nga ndërkombëtarët dhe për këtë arsye po mundohet që të jetë më i përmbajtur. Po ashtu, pas takimit me Palmer, Basha dha sinjale në Këshillin Kombëtar të PD se mund të shkonte drejt një takimi me Ramën. Por një ditë më pas Berisha e Kryemadhi dolën në studio televizive, ku e kërcënuan hapur. Po ashtu, gazeta ka mësuar se Berisha ja ka bërë të qartë Bashës se nëse e humbet këtë betejë dhe dorëzohet sërish përballë Ramës, atëherë nuk do e ketë të lehtë qëndrimin në PD. Pra duket se kreu demokrat është mes dy zjarreve dhe presioni ndaj tij po rritet nga dita në ditë. Megjithatë, gazeta ka mësuar se në PS ka ende optimizëm se Basha do lërë në baltë Berishën e Kryemadhin dhe do të kërkojë dialog për të dalë nga kriza.
Përplasjet PD-LSI
Përveç tensioneve mes Bashës dhe Berishës, përplasjet janë rritur edhe mes PD e LSI. Një ditë pas protestës së 16 shkurtit, Basha doli në konferencë shtypi dhe deklaroi se PD do djegë mandatet. Por LSI u kap ngushtë dhe e ndoqi nga pas, duke bërë të njëjtën gjë. Por tani Kryemadhi ka filluar të dyshojë te lëvizjet e kreut të PD, pasi po e kupton se me djegien e mandateve dhe braktisjen e zgjedhjeve, LSI është më e rrezikuar. PD e ka elektoratin e saj bazë që i qëndron besnik, ndërsa militantët e LSI bredhin vetëm pas parave dhe posteve. Për këtë arsye javët e fundit janë rritur tensionet, pasi Kryemadhi nuk është e kënaqur me mënyrën e reagimit. Kjo ka bërë që ndaj Bashës të ushtrohet presion si nga mediat e LSI, ashtu dhe deputetët, të cilët kërkojnë që të ketë mosbindje civile për rrëzimin e qeverisë. Nëse shihen dhe lëvizjet e ditëve të fundit, Basha ka qenë i distancuar nga LSI dhe të gjithë vendimet i ka marrë ai. Ndërkohë në lojë po teton të hyjë dhe Ilir Meta. Presidenti po tenton të marrë situatën në kontroll duke tentuar të organizojë një tryezë, ndërkohë që mediatikisht po mundohet të marrë frenat e opozitës. Meta po sulmon fort qeverinë në çdo dalje mediatike, duke i çuar dhe mesazhe Bashës në distancë./Gazeta SOT