Politikanët të mbajnë përgjegjësi nëse shkelin premtimet e tyre

Nga: Stephen L.Carter “Bloomberg”

Ndërsa po vazhdojnë thirrjet drejtuar guvernatorit të Nju Jorkut Edrju Kuomo për të dhënë dorëheqjen, si një profesori i drejtësisë pyes veten në heshtje pse ai është ende në detyrë. Tek e fundit, siç kanë e theksuar kritikët, nëse Kuomo do të ishte drejtues i ndonjë kompanie, ai ka të ngjarë të ishte dorëhequr tashmë.

Por ai nuk është një drejtues i tillë; por është një zyrtar i zgjedhur; dhe nuk ka një kontratë me shkrim mbi asnjë lloj klauzole morale, ose siç është bërë e modës, një klauzolë në të cilën ai të premtojë se nuk do të sillet në mënyrë poshtëruese ndaj nëpunësve të tij.

Pyetja është… e pse jo?Sepse zyrtarët e zgjedhur nuk nënshkruajnë kontrata. Ndoshta kjo rrjedh nga ndarja e pushteteve, por mbase është thjesht një çështje e traditës historike, mënyra sesi ne i kemi bërë gjithmonë gjërat. Mbrojtja ndaj keqpërdorimeve është me përjashtime të rralla, gjykimi i votuesve në zgjedhjet e ardhshme.

Por zyrtarët e zgjedhur bëjnë premtime. Fushatat e tyre janë të gjitha të mbushura plot premtime për begati. Por me një ndihmë të vogël nga Ros Perot, ne mund të gjejmë mbase një mënyrë për t’u mbrojtur nga mashtrimet e fushatave duke hartuar një kontratë pune për politikanët tanë.

Është e vërtetë se gjyqtarët i kanë cilësuar si shpesh marrëzi proceset gjyqësore që kërkojnë llogari për mbajtjen e premtimeve elektorale. Për shembull në vitin 1914, një gjykatë hodhi poshtë një pretendim për shkelje të premtimit elektoral nga Xhon Miçëll, kryebashkiaku reformator i Nju Jorkut,me arsyetimin se premtimi i një kandidati nuk “i jep një votuesi të drejtën të pengojë premtuesin të mos e shkelë fjalën e tij”.

Procese të tilla gjyqësore paraqiten edhe sot, dhe rezultati në fund është i njëjtë. E mbani mend “Kontratën me Amerikën”, platformën gjithëpërfshirëse përmes së cilës republikanët rifituan kontrollin e Kongresit gjatë administratës së presidenti Bill Klinton?

Në vitin 2006, një gjykatë federale hodhi poshtë një padi kundër njërit prej nënshkruesve për shkeljen e saj. Megjithëse çështjet të tilla janë të shumta, unë nuk kam gjetur asnjë të vetme, në të cilin një gjykatë të imponojë zbatimin e premtimit të dhënë gjatë fushatës. Arsyeja? Sepse, siç vendosi Gjykata e Lartë e Luizianës në vitin 1926 , “premtimet e bëra ndaj votuesit të pasigurt, nuk mund të pranohen në ligj si të detyrueshme”.

Një angazhim i tillë, shpjeguan gjykatësit, “është në rastin më të mirë thjesht një propagandë politike”. Akuzat për shkelje “duhet të bazohen tek ato që ndodhin në kutitë e votimit dhe jo në gjykata”. “Thjesht propagandë politike”. Pra kjo sugjeron se ndoshta askush nuk i merr seriozisht premtimet e kandidatëve.

Ose të paktën, askush nuk duhet që ta bëjë këtë. Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë prova se votuesit i marrin shumë seriozisht premtimet e një kandidati, veçanërisht kur ky shihet si një person shumë i ndershëm dhe me integritetit.

Një eksperiment i raportuar në një studim të vitit 2017, sugjeron se votuesit kanë tendencën që t’i marrin më seriozisht premtime të qarta sesa të kenë një pozicion të qartë politik, pasi një premtim sinjalizon vendosmërinë e kandidatit. (Ky zbulim mund të ndihmojë në shpjegimin se përse kandidatët më ekstremistë priren që t’i mposhtin të moderuarit: (Ekstremisti është shumë më i gatshëm të bëjë premtime).

Dhe gjykatësit duket se e ndiejnë këtë gjë. Në padinë e vitit 1914 kundër kryebashkiakut Miçëll, gjykata tha se shpreson që një ditë mund të zhvillohet “një metodë ligjore, për t’i detyruar zyrtarët publikë që të jetojnë në përputhje me parimet mbi të cilat u zgjodhën në detyrë”.

Ndërkohë në vitin 1996, një gjykatë federale kur hodhi poshtë një tjetër padi që akuzonte një kandidat për shkeljen premtimeve deklaroi se:“Një premtim i dhënë gjatë fushatës, është ligjërisht i pamjaftueshëm për të krijuar një kontratë detyruese, nëse nuk është e caktuar si e tillë midis premtuesi dhe atij që dëgjon premtimin”.

Por nëse nuk mund t’u imponojmë politikanëve nënshkrimin e një kontrate pune, a mund të gjejmë një mënyrë për t’i lidhur kandidatët me të paktën disa nga premtimet e tyre? Ndoshta në këtë mënyrë, nëse kandidati premton gjithashtu pasoja premtimi duhet të prishet. Ndoshta çështja më e famshme e kontratës është “Carlill kundër Carbolic Smoke Ball”, një vendim  i një gjykate angleze në vitin 1893. I pandehuri premtoi një shpërblim për cilindo që përdorte produktin e tij dhe prekej nga gripi. Kur paditësja e përdori sprajin e fytit dhe sërish u sëmur, ajo e paditi në gjykatë.

I pandehuri u përgjigj se premtimi nuk ishte me gjithë mend. Gjykata vendosi që ta shpallte të pandehurin fajtor, pasi pasoja e mos-mbajtjes së premtimit ishte përcaktuar në mënyrë të qartë. Nëse kjo ndodh me reklamën e një produkti, pse jo me zgjedhjet?

Sigurisht, shumica e asaj që thonë kandidatët në fushatë është thjesht ekzagjerim. Por a është e mundur të formulohet një listë premtimesh, në një mënyrë që të parashikojë edhe një pasojë të qartë në rastin e shkeljeve të tyre. Dhe kjo na çon tek Ros Perot.

Në vitin 1992, emisioni i famshëm humoristik “Saturday Night Live”, realizoi një seri skeçesh që satirizonin garën jorealiste elektorale të miliarderit për presidentin e SHBA-së. Njëri nga premtimet përfshinte një bast:Nëse ekonomia amerikane do të rritej me një normë të caktuar, Perot do të fitonte si shpërblim 1 miliard dollarë. Nëse do të rritej me më pak, ai do t’u jepte amerikanëve 1 miliardë dollarë nga paratë e tij.

Megjithëse skeçi ishte menduar të ishte për humor, ai përfaqësonte saktësisht atë për të cilën po flas:një premtim të qartë mbi pasojat e shkeljes së premtimeve të dhëna gjatë fushatës. Dhe kjo është ajo që duhet të kërkojmë dhe inkurajojmë:Jo premtimi në vetvete, por zotimi i kandidatit për atë që do të ndodhë, nëse nuk mbahet premtimi në fjalë.

Kjo është pjesa kur një gjykatë mund të ndihet komode në vendimmarrje. Premtimi nuk duhet të jetë aq ekstrem, le themi “Nëse më shumë se 2 gra më akuzojnë në mënyrë të besueshme për ngacmime seksuale, unë do të jap dorëheqjen” – edhe pse një qëndrim i tillë mund të jetë i mirëpritur.

Dhe nuk ka nevojë që premtimi të parashikojë pagimin e miliarda dollarëve për shkeljen e kontratës. Po aq intrigues do të kishte qenë një premtim nga Donald Trump në vitin 2016, për t’i dhënë Thesarit të Shtetit 10 milion dollarë, nëse hetuesit do të gjenin ndonjë shkelje serioze në administratën e tij.

Por mund të jenë të tipit:“Nëse rritja ekonomike gjatë vitin tim të parë në detyrë do të jetë më pak se 2 për qind, unë do të reduktoj me 1/3 stafin tim të ngushtë”.Ose:“Nëse ndonjë nga këshilltarët e mi të lartë është dënuar për një krim, do të jap për bamirësi për pjesën e mbetur të mandatit tim gjysmën e pagës sime”.

Fakti që këta shembuj duken shumë të ekzagjeruar,është një pjesë e problemit. Megjithatë, koha po kërkon një llogaridhënie serioze nga politikanët. Pra, nëse nuk mund t’i detyrojmë zyrtarët e zgjedhur të nënshkruajnë kontrata, presioni ndaj tyre për të bërë premtime të zbatueshme gjatë fushatave, mund të jetë një mjet zëvendësues i dobishëm.

Burimi i lajmit: https://www.bloomberg.com/opinion/articles/2021-03-03/cuomo-scandal-maybe-politicians-should-have-employment-contracts?srnd=opinion

Përshtatur nga TIRANA TODAY