‘Vriteni’ Luljeta Bozon

Nga: Bledi Mane

E kishim para një jave në Top Channel dhe dha një super intervistë mbresëlënëse. E qetë, e zgjuar, plot racionalitet në çdo fjalë e shprehje. Modeste për kontributet e saj shkencore e madhore, të impononte ta dëgjoje siç bën gjithmonë dhe shpërndante eliksirin e profesionalizmit pa më të voglin skepticizëm. Na tregoi se banon në një shtëpi të vjetër pas rrugës së ambasadave.

E vetme aty jeton, lexon, punon. Banon në një shtëpi të vjetër mes mijërave kujtimeve, librave, punëve shkencore. Nuk përdor rrjetet sociale dhe nuk gurguliset mes komenteve që mund ta shajnë apo ta lavdërojnë. Rrugëve dhe mejhaneve del rrallë, shumicën e kohës e gjeni në shtëpi.

Sot që pranoi ftesën për ti dhënë politikës së ndotur emrin e saj të papërlyer u gjeti të papërgatitur ju gangësterëve nihilistë. Mos u lodhni kot duke e sharë e duke e poshtëruar virtualisht por shkoini te dera e shtëpisë dhe qëllojeni me fjalët e rënda dhe me gurët talibaneskë arnautas.

Shkencërisht dhe fisnikërisht nuk i afroheni dot por të paktën mallokjeni siç bëni gjithmonë e me këdo. Duhet ta dini mirë, shkencëtarja Luljeta Bozo ka 55 vjet që merret me tronditjet e tokës e kurrë nuk u tremb nga asnjë tërmet, cunamit tuaj virtual nuk i trembet kurrë.

Shajeni, mallkojeni, kërcënojeni por mos harroni kur si skuthë frikacakë në nëntorit e 2019 nuk flinit dot nga paniku i tërmetit. Dëgjonit Luljeta Bozon e pastaj u zinte gjumi. Si fëmija i vogël që gjumi e zë vetëm me ninulën e nënës së tij…