Reperi Stresi është ende në kërkim nga ana e policisë, lidhur me protestat për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i forcave ‘Shqiponja’. Stresi fillimisht u fsheh në Kosovë dhe këtë e ka treguar dhe në një intervistë për ‘Prive’, ku ka falenderuar miqtë që e ndihmuan të shkonte deri në shtetin fqinj.
Ai është aktiv me anë të mesazheve dhe thirrjeve në rrjetet sociale. Në videon që ka ndarë me fansat e tij, duket se ai po kalon një kohë të mirë në Kosovë, ku së bashku me miqtë po argëtohet.
Stresi shihet të mbajë në dorë kallashnikov, të cilin nuk e lëshon nga dora për asnjë moment. Ndonëse ai ka treguar vendndodhjen, efektivët ende nuk kanë mundur ta lokalizojnë atë.
Stresi ishte ndër të parët që organizoi protestën për vrasjen e Klodian Rashës, por në ditën e pestë të saj vendosi të tërhiqej. Gjatë një videoje live në Instagram, reperi është shprehur se nuk do të përfshihet më në të, dhe se mund ta vazhdojë kush të dëshirojë.
Ai riktheksoi se e ngriti vetë këtë kauzë kaq të madhe, sa tani ka vendosur që të mos e vazhdojë më tej. Stresi nuk e tregoi se çfarë e shtyu drejt këtij vendimi, por u shpreh se hallet e familjes së tij i di vetëm ai, dhe askush tjetër. Reperi nënvizoi ndër të tjera se nuk ka pasur qëllime politike pas kësaj proteste, duke qenë se është akuzuar se e ka organizuar në emër të Partisë Demokratike.