Policia Rrugore ka bërë namin me gjoba në Elbasan gjatë kontrolleve për parandalimin e aksidenteve rrugore, në të gjitha akset urbane dhe rurale. Përgjatë orëve të fundit raportohet se janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
E. T., banues në Pogradec, pasi në rrugën e fshatit Katjel, Librazhd, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë dëmtuar 2 pasagjerë që ndodheshin në këtë automjet, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
A. M., banues në Cërrik, u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
H. Ç., banues në Elbasan, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi.
Po në vijim të masave të marra nga Policia Rrugore, për parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë javës që kaloi, janë arrestuar në flagrancë 5 persona për drejtim automjeti në gjendje të dehur, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 8 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Po si rezultat i kontrolleve të shtuara janë pezulluar 15 leje drejtimi nga këto:
6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
4 për shpejtësi tej normave të lejuara;
5 për drejtim mjeti në sens të kundërt.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masë administrative.
Janë vendosur gjithsej 800 masa administrative nga këto:
50 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
100 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
300 për parakalim të gabuar;
350 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia e Elbasanit do të vijojë kontrollet e pandërprera, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe apelon të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.