Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Shkodër ku Bashkia është përplasur me Policinë e Shtetit për të liruar ambientet që ishin zënë nga KZAZ. Kryebashkiaja Voltana Ademi deklaroi pak ditë më parë se ajoi do të respektonte dekretin e Presidentit, i cili i anulonte zgjedhjet e 30 qershorit. Për këtë arsye ajo iu adresoi një letër KQZ –së dhe Policisë Vendore Shkodër që të lirojnë vullnetarisht mjediset që i takonin bashkisë Shkodër në zbatim të ligjit.
Ditën e sotme Ademi ka bërë një kallëzim penal për drejtorin e Policisë Vendore të Shkodrës për shpërdorim detyre. Kujtojmë që një ditë më parë një grup protestuesish të udhëhequr nga kryebashkiakja Ademi u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejta, pasi Bashkia nuk i dha leje kryeministrit Rama për të zhvilluar miting në sheshin kryesor të qytetit.
Policia gjatë përplasjes përdori gaz litësjellës dhe në spital përfunduar 12 protestues.
KALLZIM PENAL
Drejtuar: Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Shkodër
Kallezuesi: Bashkia Shkodër, Përfaqësuar nga Kryetari saj zj. Voltana Ademi
Objekti: “Shpërdorim detyre”,“Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, Dhunim të institucioneve shtetërore.
Baza Ligjore: Neni 235, 246, 248 249, 250,251 Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, miratuar me Ligjin nr. 10019, datë 29.02.2008 dhe ndryshuar me ligjin nr. 742012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 3172015, datë 02.04.2015 Ligji 13972015 “Për vetë qeverisjen vendore”, ligjit 8743, datë 22.01.2001 “Pë pronat e paluajtshme të shtetit”, VKM nr. 161, datë 27.02.2013 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, brenda juridiksionit të Bashkisë Shkodër”, Ligji Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Rregullore e Policisë së Shtetit. Dekretit me nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr. 10298, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”publikuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë nr. 84, datë 11.06.2019.
Fakti
Me informacionin e marrë se në Shkollën “Shajnaze Juka” janë depozituar materiale zgjedhore, dhe duke qenë se kjo shkollë nuk është miratuar për të qënë në funksionin si KZAZ.
I jemi drejtuar me shkresë fillimisht KQZ –së të lirojnë vullnetarisht mjediset tona në zbatimit të ligjit, por asnjë reagim nga ana e tyre për të përmbushur këtë detyrim ligjor.
I jemi drejtuar me shkresë Policisë Vendore Shkodër, për të na mbeshtetur në lirimin e mjediseve të kësaj Shkolle, në pronësi të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu shkresa drejtuar Policisë Vendore të Shkodrës ka si objekt që Policia e Shkodrës të mbështesë Bashkinë Shkodër për lirimin e të gjitha mjediseve që janë në pronë të saj, të zena nga KZAZ-të, në respekt të Dekretit me nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës.
Policia e Shkodrës nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë për zbatimin e ligjit, por ka vijuar me paligjmërinë duke dhunuar dhe duke i mbajtur të bllokuara këto mjedise, duke penguar Bashkinë Shkodër të ushtrojë lirshëm të drejtat e saj mbi pronat në pronësi të saj.
Ligji aplikueshëm.
Në bazë të Dekretit me nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës, i cili është akt normativ në fuqi dhe i zbatueshëm për të gjithë, KZAZ-të nuk ka respektuar ligjin për lirimin e këtyre mjediseve që janë në pronësi të Bashkisë Shkodër, pasi Dekreti i Presidentit ka bërë nul funksionet e tyre dhe për pasojë duke konsumuar vepër penale parashikuar nga neni 249 e Kodit Penal “Vazhdimi i ushtrimit të Funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”.
Edhe pse janë informuar në lidhje me Dekretin e Presidentit të Republikës në lidhje me mos zhvillimin e proçesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore nga ana e Bashkisë Shkodër me shkresë ku shprehet qartë se zgjedhjet janë anulluar, kanë vazhduar ushtrimin e funksionit, duke konsumuar elementët e veprës penale referuar nenit 249 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Vepra penale parashikuar nga neni 250 e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i cili parashikon se “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.
Keta kanë kryer veprime arbitrare, pasi duke mos marrë në konsideratë faktin se Bashkia Shkodër referuar VKM – së nr. 161, datë 27.02.2013 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, brenda juridiksionit të Bashkisë Shkodër” Pallati i Sportit dhe shkollat ”, ka kryer veprime arbitrare duke spostuar selinë e KZAZ-së pa njoftuar minimalisht Bashkinë Shkodër si organ që ka në pronësi dhe është përgjegjës për administrimin e këtyre objekteve, duke i spostuar në Shkollën “Shajnaze Juka”, dhe për këtë arsye kanë konsumuar elementët e veprës penale së sipërcituar.
Vepra penale parashikuar nga neni 251 “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i cili parashikon se “Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
KQZ-ja nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me ndërprejen e gjendjes së paligjshmërisë duke mos njoftuar Bashkinë Shkodër në lidhje me spostimin e tyre dhe duke mos liruar ambjentet e Shkollës “Shejnaze Juka”.
Këto veprime Policia e Shtetit i ka përkrahur në zbatim të gabuar të ligjit për policinë e shtetit dhe rregullores për Policine e Shtetit (Komisariati i Policisë kryen detyra operacionale në përputhje me funksionet e Policisë, si më poshtë: a) drejton dhe organizon punën për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, b) ruajtjen e institucioneve dhe të pronës në territorin e njësisë administrative të komisariatit, si dhe ofrimin e shërbimeve urgjente të ndihmës për shtetasit, institucionet apo organizatat, sa herë që u kërkohet, kur atyre u cenohen të drejtat e garantuara me ligj.
Mos respektimi i këtyre dispozitave përbën shpërdorim detyre pasi qëllimisht shkakton dëm interesave të Bashkisë, duke mos lejuar përdorimin e tyre qetësisht, dhe favorizon të tretët në kundërshtim me ligjin.
Drejtoria vendore Policisë Shkodër, në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit ka për detyrë të mbrojë si pronën private dhe atë publike. Në rastin konkret Policia e Shtetit jo vetem që nuk ka vepruar në respekt të ligjit për Policinë e Shtetit, por me mosveprimet e saj ka lejuar vazhdimin e paligjmërisë. Gjithashtu ka kryer funksione të cilave i është dhënë fund pasi funksioni i KZAZ-ve ka rënë në bazë të dekretit të presidentit.
Mosmarrja e masave nga ana e policisë për të mbështetur pushtetin vendor për lirimin e ambjenteve të saj, përbën shpërdorim detyre me mosveprim si dhe mosmarrje masash për parandalimin e paligjshmërisë.
Vepra penale parashikuar nga neni 246 “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i cili parashikon së “Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.
Duke qënë përpara faktit se jemi para një Dekreti të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet të cilit është anulluar data 30 Qershor 2019, si datë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, rrejdhimisht KZAZ-të dhe Policia e Shtetit nuk mund të ushtrojnë funksionet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë pasi nuk jemi përpara zhvillimit të proçesit zgjedhor.
KRYETAR
Voltana ADEMI