Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, shprehet se partia e tij është kundër qasjes dhe mënyrës së gabuar, se si qeveria e Kosovës po i qaset dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për mediat, Hoxhaj tha se takimi para dy ditësh në Bruksel tregoi se Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur politikisht dhe përmbajtësisht për dialogun.
Deputeti thekson se qeveria e Kosovës ka hyrë në procesin e dialogut pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë për këtë proces dhe pa asnjë ekspert.
Sipas tij, takimi në Bruksel është vetëm goditje ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha partive politike në Kosovë, për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët karshi Serbisë.
“Ky është avazi i njëjtë i ndjekur edhe ish qeveria Kurti, e cila hartoi një listë të detyrave të shtëpisë pa koordinim me Amerikën jashtë, dhe pa unifikim të partive kryesore politike brenda. Takimi në Bruksel nuk është dashur të mbahet fare. Nëse Qeveria vetëm pak të kishte ide për dialogun, është dashur që të kërkoj që takimi të shtyhet deri në krijimin e rrethanave më të përshtatshme, si kthimi i Presidentit në Kosovë, koordinimi ndërinstitucional, arritja e konsensusit dhe përgatitja serioze dhe përmbajtjesore për këtë proces”, tha ai.
Hoxhaj tha se për herë të parë, delegacioni i Kosovës pranoi të qëndroj dhe ulet pa protokoll dhe i pabarabartë, ku ndërmjetësi i BE-së ishte ulur me palën tjetër, duke shtuar se kjo është foto e parë e një takimi jo-bilateral të kryeministrit të vendit që kemi nga të gjitha takimet në Bruksel, nga viti 2011.
“Në takimin e Brukselit u pa se kryeministri Hoti është mashtruar nga Serbia në përcaktimin dhe renditjen e temave. Të jap një shembull konkret, për herë të parë, është rikthyer në proces të dialogut tema e të zhvendosurve serbë nga Kosova, e cila është e mbyllur që më shumë se një dekadë, para 15 vitesh. Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i takon të zhvendosurve serbë dhe një temë e tillë nuk ka qenë temë as në negociatat në Vjenë në vitin 2006-207, as në dialogun e Brukselit”, tha ai.