Për PD, shembja dhe dëmtimi nga tërmeti i dhjetëra shkollave të reja apo të rikonstruktuara së fundmi ka nxjerrë në pah “abuzimet dhe vjedhjet në bashkitë kryesore të vendit”.
Pas shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, Partia Demokratike denoncoi atë që po ndodh me shkollën e Mesme të Bashkuar “Ismet Nanushi”, në Sukth, pjesë e Bashkisë së Durrësit.
Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Xhemal Gjunkshi panë nga afër dëmtimet e rënda të shkollës së rikonstruktuar 1 vit më parë.
Shkollës i është vënë kryqi i verdhë, duke treguar rrezikshmëri të lartë.
“Shkolla është rikonstruktuar para një viti me një fond rreth 70 milion lekë, por për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, është dëmtuar rëndë. Nuk ka as informacion cila është firma që ka bërë punimet dhe as kush e ka marrë në dorëzim, bashkia apo drejtuesit e shkollës. Nëse tërmeti do të kishte rënë gjatë orarit të mësimit dhe jo në 4 të mëngjesit, do të kishte bërë një masakër të fëmijëve të Sukthit”, u shpreh Gent Strazimiri.
Në emër të Partisë Demokratike, Strazimiri kërkoi nisjen e hetimeve për të çuar para drejtësisë “këdo që, për të vjedhur, ka vënë në rrezik, jetën e fëmijëve në shkollën “Ismet Nanushi” në Sukth”.
“Mendoj që është një rast flagrant i abuzimit financiar, një rast flagrant i përqeshjes me jetët e njerëzve, edhe më keq akoma, me jetët e fëmijëve. Prokuroria duhet të konsiderojë nisjen e një hetimi për të gjetur autorët e kësaj grabitjeje, që, nëse nuk do t’i kishte ruajtur Zoti, do të kishte sjellë tragjedi për fëmijët”, tha Gent Strazimiri.