Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë, ku po qëndron për një vizitë dyditore. Gjatë ditës së sotme, Rama takoi disa nga figurat më të njohura politike, mes tyre edhe kryeministrin Hoti.
Gjatë takimit, Hoti ka falënderuar kreun e qeverisë shqiptare për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës.
Duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë që ta thellojnë bashkëpunimin edhe më tej, kryeministri Hoti tha se Kosova e konsideron Shqipërinë si partnerin më të afërt dhe strategjik, në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.
Më tej, Hoti ritheksoi se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale, për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla.
“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri Rama ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.
“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha ai.
Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Takimi pritet të realizohet këtë të premte, më datë 3 korrik 2020.