John R. Schindler*/“The Observer”
Perëndimi duhet të pranojë gabimet e tij në Evropën Juglindore, dhe t’i korrigjojë ato – para se këtë ta bëjë Kremlini.
Sfida e vërtetë me të cilën ballafaqohet Perëndimi në Ballkan, është zhdukja e dëmeve, që kemi bërë pa dashje, në rrënojat e Jugosllavisë, gati një gjeneratë më parë. NATO e udhëhequr nga Uashingtoni, meriton vlerësim për ndërhyrjen serioze në luftën e Bosnjës, në vitin 1995, duke i dhënë fund atij makthi vëllavrasës.
Ne bëmë më të mirën në Kosovë, 4 vite më vonë, duke e ndalur atë luftë të shëmtuar etnike, përpara se të materializohej një gjenocid në shkallë të plotë. Thënë këto, qëllimet politike perëndimore, qenë më të komplikuara se sa ato ushtarake. Në të gjithë ish-Jugosllavinë, NATO dhe BE këmbëngulën për ruajtjen e kufijve të brendshëm të regjimit të shkatërruar komunist, ndonëse ato përfaqësonin skemën burokratike të funksionarëve të kuq, dhe jo realitetet etnike.
Ishte e qartë se ajo qasje qe e përcaktuar të dështonte. Mësimet e së kaluarës së afërt u shpërfillën. Arsyeja e vetme pse Evropa Qendrore është aktualisht në paqe, ka të bëjë me faktin që një numër i madh gjermanësh u dëbuan nga Polonia, Çekosllovakia, dhe pjesa tjetër e rajonit, pas disfatës së Rajhut të Tretë. Ky qe një krim i tmerrshëm i kryer nga stalinistët – më shumë se 12 milionë gjermanë, thuajse të gjithë civilë, u dëbuan me forcë dhe 2 milionë prej tyre vdiqën rrugës – megjithatë, kjo bleu një qetësi afatgjatë.
Edhe në Ballkan, kufijtë që prodhonin paqe etnike ishin qartazi të dukshëm, por u injoruan. Fitorja e Kroacisë në ofensivën e gushtit të vitit 1995 – Operacioni Stuhia, operacioni më i madh ushtarak i Evropës, që nga Lufta e Dytë Botërore – rezultoi me dëbimin e pjesës më të madhe të pakicës serbe të vendit. Rreth 4 milionë serbë u arratisën, përpara se të përparonte ushtria kroate, dhe pak prej tyre janë rikthyer gjatë dy dekadave që pasuan, pavarësisht nxitjeve për ta bërë këtë.
Për shumicën e kroatëve, ky qe një ndëshkim i përshtatshëm për kryengritjen serbe të vitit 1991, e cila e zhyti vendin e tyre në luftë, si dhe një garanci se ajo s’mund të ndodhë sërish. Sidoqoftë, kjo ishte thellësisht shqetësuese për këshilltarët perëndimorë, të cilët vazhdimisht kërkonin të vendosnin “Humpty Dumpty”-in në Ballkan, duke përmbysur verdiktet e luftërave të rrëmujshme të viteve 1990.
Në të gjithë rajonin, mandatet e NATO-s dhe të BE-së kanë nxitur fantazitë e bashkëjetesës dhe harmonisë etnike, duke këmbëngulur që “vëllazëria dhe uniteti” i epokës komuniste, midis popujve të ndryshëm të ish-Jugosllavisë, mund të rikrijohen nga e para, duke pasur parasysh ndihmën e bollshme në leksione demokracie dhe para.
E vërteta e dhimbshme, është se Marshalli Tito e mbajti Jugosllavinë të bashkuar nëpërmjet kombinimit të karizmës, talentit të tij politik dhe një force policore tejet të vrazhdë – asnjëra prej të cilave nuk zotërohej nga NATO apo BE. Në vend që të refuzonte këtë realitet të padëshiruar, Perëndimi është përpjekur të ruajë kufijtë e dizajnuar nga komunizmi, dhe kudo ka dështuar.
Në Bosnje dhe Kosovë, pakicat që ikën apo u dëbuan gjatë luftimeve, kanë refuzuar në masë të kthehen në shtëpitë e tyre. Nëse kjo është e motivuar më shumë nga frika apo veçantia etnike, kjo është e diskutueshme – por fakt është që refugjatët nuk duan të kthehen.
Prandaj është koha që Perëndimi të pranojë dështimin e tij dhe t’i japë Evropës Juglindore atë për të cilin ka vërtet nevojë –shtetet-kombe normale me kufij koherentë. Kjo do të kërkojë një rishikim të hartës së Titos, çka do të sjellë fitore dhe humbje për të gjitha grupet etnike. Megjithatë, nëse këto ndryshime bëhen me drejtësi, rezultatet afatgjata do të jenë më konstruktive sesa rrëmuja e rrezikshme, që ekziston aktualisht, nën patronazhin e NATO-s dhe të BE-së.
Së pari, Bosnja. Ky pseudo-shtet i pashpresë, nuk u rimëkëmb kurrë nga katastrofa e viteve 1992-1995, ndërsa miliarda dollarë ndihma perëndimore janë zhdukur falë korrupsionit dhe krimit të shfrenuar.
E ndarë midis Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe ose Republika Srpska, Bosnja, siç është krijuar nga amerikanët në Dejton në fund të vitit 1995, nuk ka një politikë funksionale dhe s’do ta ketë kurrë në këto kushte. Dejtoni duhej të ishte një mekanizëm afatshkurtër për të shëruar plagët e gjakderdhjes në Bosnjë, megjithatë, ai u bë i përhershëm dhe i pandryshueshëm – edhe pse vështirë se dikush në vend e dëshiron, siç është edhe në të ardhmen. Prandaj, është koha t’i japim fund dhe jo ta përmirësojmë atë.
Republika Srpska le të bashkohet me Serbinë, siç ka dashur prej kohësh. Pjesët etnike kroate e vendit, posaçërisht Hercegovina perëndimore, duhet të lejohet t’i bashkohet Kroacisë fqinje; Shumica e vendasve kanë pasaporta kroate. Pjesa e mbetur e Bosnjës, e cila tani ka një kryeqytet, Sarajevën, me shumicë myslimane, përpara vitit 1992 ishte një xhevahir multikulturor, tanimë aty kanë mbetur pak të krishterë – duhet të lejohet të shkojë në rrugën e vet, si një anëtare e shpejtë e NATO-s dhe BE-së.
Ky vend i vogël do të jetë i lidhur ngushtë me Kroacinë në aspektin ekonomik dhe politik, ndërkohë që prania e përhershme e Bosnjës në strukturat politike dhe të sigurisë perëndimore, mund të rrisë stabilitetin rajonal. Kjo do të ndihmojë në frenimin e problemit të pakëndshëm të xhihadistëve gjithnjë e më në rritje. Perëndimi duhet të braktisë fantazinë e tij, se paqja afatgjatë në Ballkan mund të arrihet përmes izolimit të Serbisë, një ndër vendet kryesore të rajonit.
Sidoqoftë, edhe Serbia duhet të bëjë lëshime. Ajo duhet të pranojë që Kosova është një vend i pavarur, dhe të mos ndërhyjë në punët e saj me spiunë dhe provokatorë. Shqipëria e Madhe po krijohet, në një mënyrë apo tjetrën, dhe është më mirë që kjo të ndodhë nën një patronazh paqësor. Lejoni që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, e cila tashmë është anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE-së. Një përfitim i shtuar, do të sjellë metoda shumë më efektive të Shqipërisë për të luftuar xhihadizmin në Kosovë, ku problemi po rritet me shpejtësi.
Në këmbim, Serbia duhet të marrë nga Kosova veriun e Mitrovicës, i cili është shumë serb dhe kufizohet me Serbinë. Vendet fetare serbe në manastiret e lashta të Kosovës, të cilat janë të paçmueshme për ortodoksinë serbe, duhet të shpallen si ekstraterritore, dhe të vendosen nën mbrojtjen e OKB-së, me garantimin e lëvizjes të lirë për serbët që dëshirojnë t’i vizitojnë apo banojnë atje.
Në këmbim të humbjes së Mitrovicës veriore, Kosova duhet të fitojë Luginën e Preshevës, e cila është kryesisht shqiptare dhe kufizohet me Kosovën. Shqiptarët lokalë organizuan një kryengritje të shkurtër të armatosur në 2001-in, e cila e futi në panik Beogradin. Është më mirë që Lugina t’i jepet Kosovës – me fjalë të tjera Shqipërisë së Madhe – përpara shpërthimit të ardhshëm të dhunës.
Humbësi i madh në rishikimin e hartës së Ballkanit do të jetë Maqedonia, e cila aktualisht është në qendër të destabilitetit, dhe që lehtësisht mund të rrezikojë gjithë Evropën Juglindore. Krijimi i Shqipërisë së Madhe, nënkupton humbje të mëdha për Maqedoninë, kryesisht në veriperëndimin e vendit, të banuar kryesisht nga shqiptarët. Në shkëmbim, Shkupi duhet të jetë i pari në radhë për të marrë ftesa për t’u bashkuar me NATO dhe BE, plus një ndihmë bujare perëndimore për të shëruar plagët e humbjes territoriale.
Kjo skemë, pavarësisht nga mangësitë e saj, do të zgjidhë pothuajse të gjitha pikat e ndjeshme etniko-territoriale në ish-Jugosllavi, duke sjellë çdo vend, përveç Serbisë, në strukturat politike dhe të sigurisë perëndimore. Ky do të jetë themeli i paqes së qëndrueshme, në një rajon që ka nevojë të madhe për të. Duhet shpresuar që Beogradi, duke u gjendur i rrethuar nga anëtarët e NATO-s dhe të BE-së, të kërkojë edhe ai anëtarësimin në këto dy struktura, por nëse kjo nuk ndodh, Perëndimi mund ta mbajë lehtësisht nën kontroll, shtetin klient të Putinit.
Moska është këtu faktori më problematik, veçanërisht, pasi Putini po kërkon qartësisht të nxisë probleme në Ballkan. Megjithatë, nëse ne e trajtojmë Kremlinin si një partner të barabartë në çdo ndryshim territorial në Evropën Juglindore, pikërisht siç Putini ndjen se vendi i tij nuk ishte në vitet 1990 – ne mund të presim një shkallë bashkëpunimi. Veçanërisht, për shkak se “vëllai i vogël” i Moskës, Serbia, do të ketë përfitime dhe jo vetëm humbje.
Kjo do t’i ngjante një versioni të përditësuar të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, por këtë herë me kontributin e vendasve. Lipset të përfshihen të gjithë aktorët kryesorë: NATO, BE, rusët dhe të gjitha vendet e Ballkanit që do të ndikohen. Por, Uashingtoni duhet të marrë rolin drejtues, ashtu siç bëmë me Bosnjën dhe Kosovën në vitet 1990. Evropianët nuk mund ta zgjidhin këtë gjë, duke pasur parasysh grindjet e tyre të vazhdueshme, dhe ne nuk dëshirojmë që komandën mbi këtë çështje ta marrë Moska.
Ekziston ndërkaq edhe një detyrim moral. Njëqind vjet më parë, Amerika hyri në Luftën e Parë Botërore me presidentin Woodrow Wilson, që shpalli epokën e re të shteteve-kombeve, të cilët do të zëvendësonin perandoritë shumëkombëshe. Dështimi për ta arritur këtë në një mënyrë të drejtë pas vitit 1918, paracaktoi luftën e ardhshme botërore, shumë më e keqe se e para.
Pastaj, në vitet 1990, amerikanët dhe partnerët e tyre evropianë u përpoqën të ndreqin Ballkanin e shkatërruar nga lufta, megjithatë, e bënë këtë punë, pikërisht, pasi nuk arritën të zbatojnë parimet uillsoniane të shteteve-kombe. Vetëm kur Perëndimi të pranojë, se popujt e Evropës Juglindore do të arrijnë paqen, vetëm kur të jetojnë në shtete më pak apo më shumë koherente kombëtare, ashtu si Gjermania, Polonia apo Danimarka, ne mund të presim që Ballkani të qetësohet dhe të fillojë të kthejë kokën nga problemet shumë të rënda të varfërisë, krimit dhe korrupsionit, që vazhdojnë ende që nga koha e Jugosllavisë dhe kolapsit të saj të dhunshëm.
Ndërhyrja ruse në Ballkan përbën një histori të keqe, që ka çuar në probleme shumë më të mëdha, prandaj është e domosdoshme që Perëndimi të fillojë të përpiqet të zhbëjë dëmin që ka shkaktuar në Evropën Juglindore, megjithëse pa dashje në vitet 1990.
Askush që është i ndjeshëm, nuk dëshiron të rishqyrtojë krizën e Sarajevës, të vitit 1914, këtë herë me armë bërthamore. Ndonëse administrata Trump ka në duart plot sfida të politikës së jashtme anembanë globit, shpërfillja e Ballkanit premton të çojë në një krizë të madhe të pushtetit, e cila mund dhe duhet të shmanget.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
*John Schindler është ekspert i sigurisë dhe ish-analist i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe oficer i kundërzbulimit amerikan.