Si rezultat i një operacioni të policisë së Tiranës në kryeqytet, 4 persona kanë përfunduar në pranga.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative arrestuan shtetasin F. A., 28 vjeç., banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për “Vjedhje”, pasi në zonën e Vaqarrit, në Tiranë, me datë 04.02.2020, ka vjedhur në një servis, mjetin në pronësi të shtetasit A. M.
Gjithashtu, goditet një rast i organizimit të lojërave të fatit dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.
Nga shërbimet e këtij Komisariati u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit SH. K., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali në pronësi të tij janë konstatuar një tavoline pokeri, fisha dhe letra bixhozi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. S., 39 vjeç.
Punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi kanë gjetur një sasi prej 4 gr. lëndë të dyshuar narkotike, e llojit canabis sativa, e ndarë ne dy qese farmaceutike.
-Gjithashtu, nga strukturat e DVP Tiranë është ndaluar shtetasi G. LL., 35 vjeç., banues në Mirditë, pasi ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.