Rrëfimi i bijës së Sami Kokës, koloneli që u dënua me 30 vjet burg nga komunistët. “Bedri Spahiu kundër Sami Kokës, në gjyqin special: E dimë që ke qenë i ndershëm, ke punuar drejt, por nuk ta falim kurrë pse nuk erdhe me ne…”
Pranverën e vitit 1945, në sallën e teatrit kombëtar, që dikur quhej Savoja, po vihej në skenë një prej tragjedive shqiptare, të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Nuk ishte shfaqje e vënë në skenë nga artistë, por një ngjarje e vërtetë që do të ishte nisje e një kalvari të gjatë vrasjesh, burgosjesh e internimesh, për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Drama e madhe ishte se ky kalvar nuk po shkaktohej nga asnjë pushtues. Disa shqiptarë të mbrapshtë kishin vendosur të shkatërronin një pjesë të madhe të elitës politike e intelektuale, të Shqipërisë së asaj kohe. Komunistët kishin dy vite që kishin marrë pushtetin, dhe gjyqi special ishte një ndër goditjet e para të tyre, ndaj atyre që i kishin shpallur “armiq të popullit”. Bëhet fjalë për periudhën mars-prill 1946, ku u ndëshkuan rreth 45 intelektual të shquar të Shqipërisë, një ndër ta ishte edhe kolonel Sami Koka.
Rita Koka ishte asokohe gjimnaziste. Një vajzë e lindur e rritur në Itali, që fati e deshi të jetonte ato ditë të tragjedisë së babait të saj dhe shumë pak kohë më vonë, tragjedinë e saj nëpër burgjet komuniste, e shpallur gjithashtu “armike e popullit”. Ishte data 13 prill, dhe Rita e dinte se atë ditë do të vendosej fati i të atit. Kishte siguruar një ftesë nga avokati për të qenë në sallën e gjyqit, dhe atë ditë, Rita nxitoi nga gjimnai “Qemal Stafa”, për të mbërritur me një frymë tek rruga para teatrit. Duhej të ishte atje, para se të kalonte kamioni mbi të cilin ishte edhe i ati, Sami Koka. E ka rrëfyer Rita Koçi në ditarin e saj për jetën e vështirë nën diktaturën komuniste. Më poshtë, publikojmë një pjesë nga ditari, ku flitet për gjyqin special, parë me sytë e një adoleshenteje, bijë e njërit prej atyre që po dënoheshin si “armiq të popullit”.
Rrëfim për ditën e gjyqit të babait
Nisi gjyqi i parë special, ku do të dënoheshin të gjithë ish-funksionarët e lartë, ndërmjet tyre edhe babai im. Gjyqi special zhvillohej në sallën e teatrit. Të burgosurit i sillnin nëpër kamionë të hapur dhe të lidhur me zinxhirë. Rruga nga burgu i ri ku ishin vendosur, e deri tek teatri, ishte e bllokuar me partizanë dhe pas tyre, ishte populli që priste me kureshtje… atje ishim edhe ne pjesëtarët e familjeve të të burgosurve. Unë dilja nga shkolla dhe zija vend tek dritaret e ministrisë, me qëllim që të shihja babanë në kamion e ai të më shihte.
Kur erdhi dita që do të dilte babai në gjyq, i thashë avokat Totozanin që e kishim mik të shtëpisë, që të më linte të hyja në gjyq. Më tha se kishte një ftesë dhe ma dha, sepse në sallën e gjyqit duhet të kishte një ftesë për të hyrë. E mora ftesën. Ditën tjetër, sa dola nga shkolla me libra në dorë, ftesën e kisha në xhep. Më kërkoi roja ftesën dhe unë ia dhashë, si të isha sekretare partie dhe më la e nuk e zgjati më tej. Hyra brenda dhe pashë babanë. Nuk kishte vend ku të ulesha e po rrija në këmbë. Nisën ta pyesin babanë. Ishte kryetar gjyqi, Koçi Xoxe dhe prokuror Bedri Spahiu. I thotë Bedri Spahiu, babait tim: Ti ke firmosur për ardhjen e Italisë në Shqipëri…
Babi i përgjigjet: Nuk është e vërtetë dhe ju e dini shumë mirë. Në të vërtetë kur erdhi Italia, kur ushtria ishte në detin Adriatik, Ahmet Zogu, caktoi babanë tim dhe Rrok Gerën si përfaqësues të plotfuqishëm të Shqipërisë, të bisedonin me gjeneralët italinë që ndodheshin në breg të detit. Biseduan dhe pala italiane bëri kërkesën e saj që të lejoheshin të hynin në Shqipëri… Ahmet Zogu të ishte mbret kukull;… u kthyen dhe ia rrëfyen Ahmet Zogut. Sigurisht që ai nuk e pranoi kërkesën e italianëve dhe më pas, duhet të shkonin sërish tek italianët e të kthenin përgjigje negative. Pastaj, Ahmet Zogu i tha babait: S’ke çbën, të takon ty kjo detyrë që Italia të kuptojë që se pranon këtë kërkesë të tyre. Babai shkoi e bisedoi me gjeneralët dhe i tha se Ahmet Zogu nuk e pranoi një gjë të tillë. Ai i propozoi babait ta gradonte me gradën Gjeneral… i premtoi për ne fëmijët, kolegjet më të mira në Itali e të tjera premtime për një jetë të mirë. Babi nuk pranoi asgjë nga këto dhe si përfundim, u kthye mbrapsht dhe kur u kthye, dha urdhër që të hidhet në erë ura e Shijakut. Rruga për në Durrës, ishte nga Ndroqi, dhe sapo kishte nisur të ndërtohej. Atë urdhër që dha babai nuk e zbatuan, dhe i tha Ahmet Zogut se do të dorëzohem tek italianët. ”Jo tha Zogu, sepse do të pushkatojnë… prandaj do të vish me mua!”, dhe e mori me vete. Pak kohë më vonë, babai u kthye në Shqipëri. Ishte viti 1941, kur babanë e internuan në Sardenja. Ishte lufta Italo-Greke. Ne mblidheshim vazhdimisht e bisedonim të shkonim edhe ne andej. Por vazhdimisht ndryshonim mendim.
Kur Bedri Spahiu i tha babait se kishte qënë bashkëpunëtore me italianët e shpjegoi këtë dhe dëshmitarët e mbështetën Sami Kokën, babanë tim.
Pastaj Bedri Spahiu i tha: Sami Koka, sa oficerë e ushtarë do të kishin ardhur në mal po të kishe ardhë edhe ti….?
Sami Koka: Unë nuk kam qenë kurrë revolucionar, por s’kam penguar askënd të shkojë në mal. Kurrë nuk kam penalizuar askënd që kishte mendime si tuajat, apo si zogist, apo ballist. Madje, unë iu kam thënë ushtarakëve se kush kërkon të shkojë partizan në mal, unë e rregulloj, dhe paratë e rrogës, i shkojnë familjes. Për këtë, i dolën dëshmitarë disa njerëz. Më pas, Bedri Spahiu i tha babait: E dimë që ke qenë i ndershëm, ke punuar drejt, por nuk ta falim kurrë pse nuk erdhe me ne.
Atë ditë që u dha vendimi, isha në shkollë. Kur u ktheva në shpi, pashë që kishin ardhur hallat dhe kushërinjtë. Mamaja më del përpara: Mami, sa u dënua babai? 30 vjet… nisa të qaj… dhe pastaj, mamaja më tha: Pusho, mos qaj, se ishte dënuar më parë me pushkatim, kështu që shpëtoi nga vdekja…
Përndjekja
Pasi u dënua babi, vazhduan persekutimet. Na hoqën sërish nga shtëpia, dhe shkuam në një shtëpi tjetër, te halla që sapo kishte ardhur nga Italia. E kishte shtëpinë te rruga e ambasadave. Ne rrinim në kat të parë, halla rrinte lart… unë, bashkë me vëllanë tim Gencin. Pubja (Pëllumbi) vëllai i madh, kishte ikur në Itali. Ne vazhdonim jetën normale dhe të gjitha hallet dhe sikletet, i mbante mamaja jonë.
Kur kuptuam se do na sekuestronin mallin, rrobat, nisëm t’i shpërndajmë nëpër farefis. Dhomën e bukës stil… e çuam tek Vesel Pitarka. Dhomën e bukës, bufe kontrabufe… karrige, etj i çuam te Veseli. Mobiliet i çuam të gjitha nëpër njerëz. Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë, dhe neve na nxorën nga shtëpia, dhe prej këtej, zumë një shtëpi tjetër me qera në Tiranën e re, tek një kushërirë e mamasë time. Ishte afër bllokut të udhëheqjes.. që ende nuk ishte mbyllur me gardh. Plaçkat që na i merrnin, i çonin për familjet partizane. Ata ishin fshatarë të varfër… luftuan dhe zbritën në qytet. Iu dhanë apartamente… i mobiluan me plaçkat tona, me logjikën që është mall i popullit. Fëmijët i shkolluan, dhe kështu që kishin të drejtë të adhuronin partinë dhe Enver Hoxhën. Por intelektualët pse e adhuruan atë… si shkuan pas një utopie kaq zhgënjyese… por ç’të bësh, se këto ishin mendimet e tyre… Kështu u vendosëm tek shtëpia, në Tiranën e re.
Mamaja përpiqej që të na mbronte mua dhe Gencin, nga çfarë po ndodhte, përpiqej të na e bënte jetën sa më të thjeshtë. Përpiqej sa mundej të na mbante larg së keqes. Ajo nënë heroninë, si shumë gra e nëna të tjera, sakrifikuan për fëmijët e njerëzve të dashur që kishin nëpër burgje. Nuk iu shmangën kurrë shiut, dëborës e diellit përvëlues, por shkonin cep më cep, ku i dërgonin të burgosurit familjarë të tyre, për t’iu çuar ushqim.
Përpiqej të na largonte nga persekutimi, por ishte e pamundur të na mbante larg, sepse persekutimi, vuajtja, na ndiqte gjithnjë nga pas. Shtëpia e hallës ku banonim ne, kishte një oborr të madh, të mbushur me pisha. Në mes të oborrit, ishte një pistë e vogël, ku vajzat e hallës luanin. Në mbrëmje vonë, hapja muzikën e radios, e ngrija zërin, dhe në këmishë të natës, dilja te kjo pistë dhe kërceja balet. Isha e pasionuar pas baletit. Dilte mamaja dhe më thoshte: Rita, çfarë bën moj bijë, hajde brenda moj çupë! Në mes të natës, të dalësh, të kërcësh… do thonë njerëzit se ka luajtur mendsh. Hyja brenda dhe shtrihesha në krevat, e nisja të fantazoja skena të ndryhsme të baletit, sipas mendimeve dhe ëndrrave të mija. Pas pak kohësh, na nxorrën edhe nga shtëpia e hallës, dhe sa herë që na nxirrnin nga shtëpitë, na sekuestronin një pjesë të plaçkave tona.
Prej këtej, shkuam tek djali i xhaxhit të mamasë, për një kohë të shkurtër, ishte Naim Frashëri aktori. Pastaj, kaluam tek një pallat në Tiranën e re, ku ishte xhaxhai… ai zuri një apartament, dhe ne na dha një dhomë të madhe, ku jetonim unë, mamaja dhe Genci. Pas një kohe, në vitin 1948, na hoqën edhe prej këtej, na hoqën gjithë pallatin e na çuan në rrugën e Kavajës, tek shtëpia e Fuat Halimit. Poshtë, ishte xhaxhai, lart, në një dhomë të vogël, ishim unë, mamaja dhe Genci. Duke shitur disa nga plaçkat tona, mundëm të mbijetojmë. Në këtë shtëpi, kishin mbetur vetëm dy poltronët e mëdhenj, një tavolinë e vogël që shërbente për të ngrënë, dhe një tapet sintetik, se të tjerat persiane, i kishim shitur. Kishim dhe një krevat që flinte Genci, ndërsa unë dhe mamaja, shtronim dyshekët në dysheme, kishim dhe stufën që ngroheshim. Kishim dhe një Baule të madhe, ku kishin mbetur plaçkat e fundit që ishin shpëtuar… një servis lugësh e pirunjsh për 24 vetas, argjendi, i sklaitur me pjesë ari.
Mbulesa tavoline të qëndisura në Firence, perde e disa gjëra të tjera, një servis çaji porcelani, që edhe ai mbaroi për qamet të zotit, se e çoi mamaja për ta shitur te dikush, dhe ai tha që ai është thyer dhe në fakt, i dha vetëm një filxhan dhe i tregoi pjesët e tjera të thyera… shkoi dëm dhe ai. Kishte edhe tetë vargje me margaritar perla, të cilat i ruante, katër për mua, e katër për nusen e Gencit. Erdhi koha, që edhe perlat duheshin shitur, dhe i çoi xhaxhi tek një person. Ky personi u arrestua nga policia, dhe në momentin që xhaxhai po priste për paratë, policia po hetonte se kush e pret te dera, që t’ju dorëzonte për gjërat që i kishin çuar për të shitur. Xhaxha Malushi u tremb, dhe tha: Nuk rrezikoj jetën për perlat, kështu që nuk shkoj dot. Edhe mamaja nuk shkoi. Një servis tjetër, që ishte blerë në Firence, lugë e pirun, me stemat e ndryshme të familjeve aristokrate të Firences. Këto gjëra, jua dha mamaja për t’i shitur një kushëriri të babait, dhe i shiti në ambasadën franceze. Ishte në një farë mënyre matrapaz dhe na dha një çerek të parave, e të tjerat i mori për vete. Kaloi edhe ky vit”, rrëfen ndër të tjera, Rita Koka Koçi, e bija e Sami Kokës.