Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shkruan se pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah Shqipërinë e vërtetë, pasi sipas tij këto ditë ndihet më shumë dështimi i qeverisë për të menaxhuar situatën kaotike.
Përmes një postimi në “Facebook”, kryedemokrati thekson se shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për të afërmit dhe ata që janë simpatizantë të forcës socialiste. Ndërsa shton se kanë kaluar mbi dy javë nga tërmeti dhe shumë familje nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë.
“Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se “nuk na ka ardhur asnjë ekspert për të vlerësuar nëse banesa është apo jo e banueshme”; “nuk kemi marrë asnjë ndihmë”; “jetojmë në qiell të hapur; “shteti nuk ekziston”, QEVERIA NUK NDËRMERR ASNJË VEPRIM. VETËM SHOW. VETËM BATUTA. VETËM PËRQESHJE ME FATKEQËSINË. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë”, përfundon Basha.
Postimi i plotë
Tërmeti i 26 nëntorit nxorri në pah Shqipërinë e vërtetë, të varfër dhe të vjedhur, nxorri në pah paaftësinë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë.
Sot ndihet edhe më shumë dështimi i qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit e po kështu edhe neglizhenca kriminale pas tërmetit të 21 shtatorit ndaj objekteve të dëmtuara që sollën humbje jetësh njerëzore. Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qenë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “kuponin”.
Në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake. Nese nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre.
Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën. Asnjë transparencë, se kur do të nisë rikonstruksioni i banesave të dëmtuara , si do të bëhet, fondet e akorduara, e shumë pyetje të tjera pa përgjigje.
Edhe sot njerëzit janë të paqartë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Grupe inspektimit janë kaotike. Për të njëjtin objekt ka inspektime dhe vendime të ndryshme. Për qindra të tjera ska ende as inspektim, as vendim. Banorët jetojnë me ankth për jetën por dhe fatin e shtëpive të tyre, të vetmen gjë që kanë nga puna e një jete.
Sot kemi hyrë në javën e tretë pas tragjedisë së rëndë dhe ende NUK KEMI EVIDENTIMIN E PLOTË të:
•sa banesa janë dëmtuar,
•sa pallate janë shpallur të pabanueshëm,
• sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë,
• sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur.
• cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje.
• cilat janë shkollat e dëmtura dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato.
Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se “nuk na ka ardhur asnjë ekspert për të vlerësuar nëse banesa është apo jo e banueshme”; “nuk kemi marrë asnjë ndihmë”; “jetojmë në qiell të hapur; “shteti nuk ekziston”, QEVERIA NUK NDËRMERR ASNJË VEPRIM. VETËM SHOË. VETËM BATUTA. VETËM PËRQESHJE ME FATKEQËSINË. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë.