Ish-kreu i bandës së “Çoles”, Myrteza Çaushi ose i njohur ndryshe si Zani Çaushi, kërkon lirinë nga burgu.
Por Drejtoria e Burgjeve kundërshton lirimin e tij. Në një intervistë për ‘ReportTv’, kreu i burgjeve Agim Ismaili shprehet se i njohuri si Zani Çaushi nuk është rehabilituar dhe nuk ka garanci se pasi të fitoj lirinë, nuk do të përfshihet në krime.
I forti i kaosit të vitit 1997, Zani i Çoles në Vlorë, ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Korçës, megjithëse është i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje.
Kërkesa që mbart shpresën e Zanit për t’u liruar nga burgu i Drenovës, është depozituar në gjykatë pak ditë më parë dhe deri tani janë zhvilluar edhe dy seanca gjyqësore.
Kërkesa për lirimin para kohe, po shqyrtohet nga gjyqtari Seljadin Pysqili, që ende nuk ka marrë një vendim.
Burime nga Gjykata e Korçës bëjnë me dije se procesi po vijon me marrjen e provave dhe raporteve, me të cilat kreu i një prej bandave të Vlorës argumenton kërkesën e tij për liri me kusht. Seanca e radhës do të zhvillohet më 17 korrik.