E premte, 18 Qershor, 2021
19.5 C
Tirana

Nostalgjia për liderët e fortë, trashëgimia më e qëndrueshme e Enverizmit

Dimrin e vitit 2011, mbarë bota u shokua nga imazhet dramatike që vinin nga vendi më i izoluar në botë, Koreja e Veriut. Qindra mijëra njerëz, zyrtarë të lartë, ushtarakë, punëtorë, qytetarë, burra, gra dhe fëmijë, vajtonin humbjen e liderit të tyre, Kim II Sung.

Shumica prej tyre qanin, çirreshin me të madhe në temperaturat nën zero grade, dhe dëborën e madhe që kishte mbuluar sheshin kryesor të Phenianit. Por për shqiptarët, sidomos ata të brezit të mesëm dhe të moshuarit, ajo ngjarje ishte një lloj dezha vyje. 26 vite më pare, po kështu e kishin përcjellë për në botën tjetër udhëheqësin e tyre komunist, Enver Hoxha.

Në fakt, liderët e shquar janë përcjellë gjithmonë me ceremoni të mëdha shtetërore, ku nuk kanë munguar lotët e qytetarëve të thjeshtë. Mijëra amerikanë u ngashëryen, kur mësuan vrasjen e presidentit të tyre Xhon Kenedi në Dallas në nëntorin e vitit 1963.

Megjithatë, në këtë rast ka qenë një shprehje e një ndenje të natyrshme njerëzore ndaj një lideri karizmatik, që iu kundërvu me vendosmëri Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, dhe mbrojti idealet e lirisë dhe demokracisë, edhe për popujt që kishin rënë nën thundrën e komunizimit.

Ndërkohë, udhëheqësit e spikatur por diktatorialë, kanë pasur funerale shumë më pompoze, me shumë ditë zie dhe vaji nga ana e popullit, dhe me shprehje shumë më të hapura të hidhërimit nga qytetarët. Diktatori sovjetik, Josif Stalin, çoi drejt vdekjes deri në javët e fundit të jetës, miliona njerëz të pafajshëm.

Megjithatë kur vdiq më 3 mars 1953, në funeralin e tij morën pjesë miliona njerëz nga të katërt anët e vendit. Sipas raportimeve, në disa raste histeria e turmave ishte e tillë, sa që mendohet se më shumë se 200 persona humbën jetën, kryesisht si pasojë e shtypjes nga turma.

Diktaturat e kishin shndërruar frikën në armën e tyre kryesore, përmes së cilës zbusnin dhe mbanin kokulur nënshtetasit e tyre. Ndaj mund të supozohet pa ndonjë teprim, se sheshet e Tiranës, Moskës apo Phenianit në vitet 1953, 1985 dhe 2011, ishin mbushur kryesisht me njerëz të skllavëruar, që u kishte hyrë frika deri në palcë, që derdhnin lotë hipokrite, për të qenë në rregull me autoritetet e larta, dhe sidomos me shërbimin sekret që vigjilonte rrotull, dhe mbante shënim sjelljen e secilit prej tyre.

Një hipokrizi që rusët dhe shqiptarët, patën rastin ta flaknin tej në fillim të viteve 1990, për ta përqafuar mjerisht shpejt modelin e liderëve autoritarë, duke dëshmuar se eksperimenti dhjetëravjeçar me ta kishte funksionuar. Kjo dëshmoi se tej shtirjes, në shpirtin e tyre kishte ndodhur një transformim fatkeq.

Pra teksa modeli ekonomik marksist dështoi, mësimi i njerëzve për t’u drejtuar nga liderë të dorës së fortë, që në publik hiqen si babaxhanë, ndërsa në prapaskenë hartojnë listat e radhës për neutralizimin e kundërshtarëve politike dhe konsolidimin e pushtetit të tyre, pati një sukses të konsiderueshëm.

Për pasojë, në 3 dekadat e fundit, shqiptarët janë përpjekur të ecin përpara me mish e me shpirt, dhe duke mos pasur shtetin në krah, ia kanë dalë të ndërtojnë njëfarë ekonomie vetjake, ata kanë mbetur shpesh me kokën pas, sa i përket nostalgjisë për kohët e vjetra, kur kishte vërtet më shumë mjerim dhe represion shtetëror, por nuk kishte pasiguri për të gjetur një punë, ku ishin të gjithë “të barabartë”.

Kështu shumë shqiptarë, u ndjenë të keqardhur kur Ramiz Alia dha dorëheqjen në pranverën e vitit 1992, për t’i lënë postin e presidentit Sali Berishës. Ata e lidhnin emrin e tij, me atë të vazhdimësisë së sistemit monist të Enver Hoxhës, nostalgjikët e të cilit po shtohen frikshëm edhe në mesin e brezit më të ri.

Alia vlerësohej edhe për garantimin e “revolucionit jo të përgjakshëm” demokratik në vitin 1990.

Pas tij, Berisha që galopoi me shpejtësi gjatë qeverisjes së tij të parë plot me akte anti-demokratike, u rrëzua nga revolta popullore që pasoi shembjen e piramidave.

Por pas 1997-ës, qeverisja disi më liberale por e korruptuar e socialistëve, ringjalli nostalgjinë popullore për “Sali Bollëkun”, për kohën e Sudes, VEFA-s, dhe Xhaferrit, për paranë e fituar kollaj. Ngjashëm, kur Fatos Nano humbi zgjedhjet në vitin 2005, pati një luzmë nanoistësh që përmalleshin vazhdimisht për të në korridoret e selisë rozë.

Atyre u mungonin batutat e rafinuara të Nanos, sjellja e tij liberale me të gjithë, miq dhe armiq në PS dhe jashtë saj, ndaj përsërisnin shpesh sloganin “Dum Babën!“, një jehonë e lëvizjes famëkeqe të Haxhi Qamilit 100 e ca vite më pare, që kërkonte ende Baba Sulltanin, dhe jo pavarësinë për vendin e tij.

Pas vitit 2017, me humbjen e rëndë që PD pësoi në zgjedhjet e përgjithshme, dhe pas marrëveshjes sekrete mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, nga e cila përfitoi vetëm ky i fundit, shumë demokratë nisën të kërkonin rikthimin zyrtar të Berishës në krye të partisë, edhe pse de fakto prania e tij është përcaktuese në frymën dhe vendimmarrjen në PD.

Thirrje të ngjashme, janë dëgjuar edhe javët e fundit, kur Basha me djegien e mandateve dhe braktisjen e parlamentit, një këshillë kjo e vetë Berishës, e ka është futur partinë më të madhe opozitare në një ekuacion me shumë të panjohura, duke tërhequr vërtet simpatinë e simpatizantëve apo edhe të pakënaqurve nga qeveria aktuale, por edhe kritikat e rrepta të faktorit ndërkombëtar, që po e shpërfill dhe izolon PD-në.

Është pikërisht nostalgjia për udhëheqësit, që bazohen tek logjika e forcës dhe jo forca e arsyes, ajo që ua vështirëson rrugën liderëve të rinj, apo lëvizjeve të reja politike në Shqipërinë, që dukshëm vuan për alternativa. Nga Enver Hoxha jemi ndarë fizikisht prej 34 vitesh, por po e vuajmë si një kolerë mendësinë e tij, Enverizmin.

Fakti që edhe vende të tjera ish-komuniste evropiane, që tashmë janë pjesë e BE-së, po lejojnë ringjitjen në skenë të udhëheqësve autoritarë, tregon se komunizmi si eksperiment, ka pasur efekte të ngjashme me ato të radioaktivitetit, pas shpërthimit të një bombe nukleare. Vizualisht më e keqja ngjan se ka kaluar, por rreziku është ende aty./ Përgatiti Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Navalny e quan Putinin “gënjeshtar”

Politikani opozitar i burgosur në Rusi, Aleksei Navalny, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është një “gënjeshtar që nuk mund të ndalet...

‘Euro 2020’/ Holanda mposht Austrinë, i bashkohet Italisë dhe Belgjikës në 1/8

Holanda ka mundur me rezultatin e pastër 2-0 Austrinë në ndeshjen e vlefshme për grupin C, dhe së bashku me Italinë dhe Belgjikën, ka...

Mbyti gruan dhe planifikoi të arratisej, momenti kur piloti përqafon vjehrrën

32-vjeçari Charalambos Anagnostopoulos, i cili mbyti gruan e tij 20-vjeçare britanike Caroline, është një vrasës tepër gjakftohtë, dhe u mundua të fshinte çdo lloj...

Mediat dhe oligarkët/ Peza: Ja emrat e radhës që do të shpallen “non grata”

Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe analisti Alfred Peza, parashikon një verë të nxehtë sa i takon situatës politike, teksa u shpreh se shpallja ''non...

Holanda votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, por ka një kusht

Parlamenti holandez i dha dritën jeshile Shqipërisë ditën e sotme, pasi votoi pro hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, për negociatat, Holanda ka...